Vendosni fjalën kyçe....

ONM mbështet zgjatjen e mandateve të organeve të Vettingut: Puna që është bërë deri tani të mos humbasë


Drejtuesi i bordit të ONM-së Maciej Popowski, ka mbështetur sot zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Popowski ka thënë në emër të Komisionit Evropian, se kjo iniciativë është shumë e rëndësishme.

“ONM e konsideron zgjatjen e punës me një rëndësi shumë të madhe për të pasur një përfundim me sukses të procesit të vetingut si pjesë e reformës në drejtësi.

Kjo do lejojë që të mbarohen të gjitha ato çështje duke pasur parasysh dhe kapacitetet që kanë zhvilluar eksperiencën e tyre dhe që kanë arritur rezultatet shumë të mira.

Po flas këtu për KPK që ka marrë një numër vendimesh në muaj edhe komisioni i pavarur i kualifikimit lejon që të finalizojë gjithë ato çështje dhe që puna që është bërë deri tani të mos humbasë dhe mos të fillojë çdo gjë nga fillimi.“- tha Popowski duke folur në mbledhjen e përbashkët te Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Sipas drejtuesit të ONM-së, zgjatja e afateve deri në dhjetor 2024 do të jetë e mjaftueshme për të përmbyllur procesin e vetingut. Ai e quajti këtë një nga reformat më të mëdha drejt hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.