Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra njerëz të bllokuar nga përmbytjet, Kolumbia Britanike shpall gjendjen e Emergjencës


Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në provincën perëndimore kanadeze të Kolumbisë Britanike pas një stuhie të madhe që ka ndërprerë lidhjet rrugore dhe hekurudhore në rajon.

Forcat e Armatosura Kanadeze janë duke ndihmuar mijëra banorë që janë bllokuar që nga stuhia që goditi provincën natën e së dielës.

Kryeministri Justin Trudeau i cili ndodhej në SHBA, premtoi se trupat do të ndihmojnë në rindërtimin.

Siç shkruan BBC, një grua ka humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së dheut, ndërsa dy persona rezultojnë të zhdukur.

Shirat dhe erërat përfunduan pasditen e së martës, por disa komunitete mbeten ende të bllokuara. Më shumë reshje shiu parashikohen më vonë gjatë javës dhe zyrtarët kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.

Helikopterët hodhën furnizime me ushqime për komunitetet malore të bllokuara pasi rrëshqitjet e dheut shkatërruan rrugët dhe uji përmbyti autostradat kryesore.

Qyteti i Tulameen ka rreth 400 njerëz të bllokuar atje, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Zyrtarët në rajon ia atribuojnë fatkeqësinë natyrore efekteve të ndryshimeve klimatike.

Kryeministri i Kolumbisë Britanike, John Horgan tha se urdhri i urgjencës hyri në fuqi në orën 12:00 të mërkurën.

Ai tha se kufizimet e udhëtimit do t’i mbajnë njerëzit larg rrugëve të përmbytura dhe do të sigurojnë që mallrat thelbësore “do të arrijnë te komunitetet që kanë nevojë për to”.

“Nuk ka një person që nuk është prekur ose nuk do të preket nga ngjarjet e kësaj fundjave të kaluar.”– tha ai, duke shtuar: “Këto ngjarje po rriten në frekuencë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”.