Vendosni fjalën kyçe....

SPAK i çon letër Kuvendit, kërkon mandat të pakufizuar në kohë për prokurorët


SPAK i ka dërguar letër Kuvendit duke kërkuar ndryshime ligjore për sa i përket mandatit të prokurorëve.

Në letër theksohet se pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar të prokurorëve të SPAK-ut është e vështirë të gjendet një grup tjetër prej 20 prokurorësh që të zëvendësojnë atyre që u mbaron mandati.

Për këtë arsye ata kërkojnë një mandat të pakufizuar në kohë për të luftuar më mirë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar.

“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke u konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të plotësimit të saj me kapacitetet njerëzore dhe teknike të nevojshme. Rezultatet e saj janë në rritje të vazhdueshme, gjë që konfirmohet nga të dhënat statistikore të vitit 2020, por sidomos të vitit 2021 (janar-shtator 2021). Konstatohet rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të regjistruara, rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të dërguar për gjykim, rritje e numrit të rasteve të dënimeve dhe konfiskimeve me vendim të formës së prerë të gjykatës. Nga vlerësimi që kemi konstatuar gjatë periudhës dy vjeçare nga momenti i krijimit të Prokurorisë së Posaçme, mendojmë se është e domosdoshme që të bëhen disa ndryshime ligjore në funksion të rritjes së efektivitetit të punës së SPAK. Duhet mandat i pakufizuar ashtu siç është ai i gjykatësve të Gjykatës së Posaçme apo asaj të Apelit për të luftuar më mirë korrupsionin e krimin e organizuar.”– shkruhet në shkresë ku listohen prozimet e SPAK për ndryshimet ligjore.