Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla Dimitrov: Nuk ka rrezik që Maqedonia e Veriut të dalë nga “Open Balkan” në rast ndërrimi pushteti


Maqedonia e Veriut ka marrë pjesë në takimin e “Open Balkan” që u zhvillua sot në Beograd pavarësisht dorëheqjes së dhënë prej kryeministrit Zoran Zaev.

Përfaqësues i qeverisë maqedonase ishte zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov.

Për zv. kryeministrin Dimitrov, nuk ka asnjë rrezik që vendi i tij të largohet nga ‘Open Balkan’ edhe nëse ka ndërrim pushteti pasi sipas tij janë qytetarët ata që e duan.

“Unë nuk mendoj se situata në skenën politike maqedonase ka arritur në fazën e konkurrencës në politikë. Do të ishte mirë ta kishim. Shumica e qytetarëve të Maqedonisë duan të ecin përpara, dhe kjo në radhë të parë nënkupton fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal. Një ditë do të ndodhë që të ketë ndryshim të pushtetit por vullneti i qytetarëve është i tillë që gjithkush të vijë në pushtet të ecë përpara. Kështu që nuk shoh ndonjë rrezik për të dalë jashtë vendi im. Është e rëndësishme që të mbetet pjesë e kësaj nisme.”- tha Dimitrov.

Ai tha se në takimin e radhës që pritet të mbahet në Tiranë në dhjetor, shpreson që të shënohen dhe fitoret e para në lidhje me produktin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të “Open Balkan”.

“Zhvillimi i kësaj nisme nënkupton tregtinë e lirë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve si dhe përfshin ndihmën ndaj njëri-tjetrit për të përballur katastrofat natyrore. Banka Evropian për Zhvillim thotë se PBB-ja në secilin prej vendeve do të rritet me 10% me përpara pandemisë.

Kur vjen fjala për qytetarët e tre vendeve tona në fund të fundit do të ishte një përfitim i jashtëzakonshëm, duke e bërë rajonin më atraktivë për investimet e huaja. Sa më shumë të bashkëpunojmë me njëri tjetrin do t’i bindim evropianët se ne nuk jemi një rajon që eksportojmë probleme, por një rajon që gjejmë zgjidhje. Një kompani maqedonase që eksporton nga Maqedonia drejt Serbisë pret tre javë për një certifikatë nga laboratorët maqedonas dhe ai serb, pavarësisht se dy vendet kanë një marrëveshje që artikujt dhe ushqimet të kenë vetëm një certifikatë nga një laborator ose në Maqedoni, ose në Serbi.

Ajo çfarë na mungon dhe e kemi trajtuar është fokusi te zbatimi. Në takimin tonë në fund të dhjetorit në Tiranë duhet të deklarojmë sa më shumë fitore të problemeve që shtrova më parë. Gjithëpërfshirja është shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të hapur për të gjitha vendet e rajonit. Në dokumentet e firmosura në këtë takim shprehemi se ky bashkëpunim rajonal nuk e zëvendëson integrimin evropian. Ne duhet të bëjmë përpjekje për të qenë më bindës në sytë e Bashkimit Evropian.”- tha Dimitrov.