Vendosni fjalën kyçe....

Deputetet e PD-së në spitalin e Krujës, Bakiu: 60 fëmijë të helmuar, edhe djali im


Deputetet e Partisë Demokratike Merita Bakiu, Dhurata Çupi dhe Orjola Pampuri kanë shkuar sot pranë spitalit të Krujës, ku rreth 370 qytetarë janë paraqitur me simptoma helmimi.

Deputetet kanë takuar pacientët e shtruar ndërsa kanë folur lidhur me situatën edhe për gazetarët, ku denoncuan kushtet spitalore.

Bakiu tha se janë rreth 60 fëmijë që kanë shfaqur shenja helmimi, ndërsa falenderoi mjekët që pavarësisht kushteve në spital, u kanë shërbyer njerëzve pa pushim.

“Janë rreth 60 fëmijë që janë trajtuar gjatë këtyre ditëve në këto kushte spitalore gjatë lëtyre ditëve. Gjëja që nuk më vjen mirë është se unë dhe kryetari i degës së PD-së jemi të pranishëm dhe nuk po gjejmë kryetarin e bashkisë, i cili duhet të jetë përgjegjës dhe duhet të jetë këtu për të parë kushtet spitalore në të cilat ndodhet spitali i Krujës.

Falenderoj mjekët që në këto kushte që është spitali janë pa pushuar në 24 orë, ka që më thonë 48 orë që janë në shërbim të njerëzve.”– tha Bakiu.

Deputetja demokrate e Krujës ftoi ministren e Shëndetësisë, që të shkojë të shohë vetëm urgjencën, për të parë se sa jo normale është situata.

“Unë nuk e di se në cilën sallë ka hyrë ministrja, por e ftoj që të hyjë vetëm te pjesa e urgjencës dhe të shikojmë si janë kushtet, nëse për ministren janë normale atëhere nuk mund ta komentoj këtë pjesë.”- tha ajo.

Deputetja deklaroi se edhe djali i saj ka shfaqur shenja helmimi: “Unë jam e prekur, sot unë kam të prekur tim bir. Kam motrën time dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Nuk e di se si do të vazhdojë trajtimi i këtyre njerëzve të cilët janë të infektuar. Më shqetëson më shumë se si do të veprohet sepse kemi raste të përsëritura. Dje ishin 240 raste, sot kanë arritur në 370 raste.“

Ajo shtoi se në një familje, jo të gjithë anëtarët janë të sëmurë.

“Po. Problemi është se brenda në familje nuk janë të sëmurë të gjithë njerëzit. Po ju jap informacion nga rrethim im familjar. 3 nga personat janë të sëmurë dhe 2 jo, varet nga imuniteti.“- shtoi Bakiu.

Deputetja Orjola Pampuri tha se për shkak të numrit të lartë të të helmuarve, nuk mund të jetë një rast helmimi nga ushqimi, pasi pacientët nuk kanë qëndruar të gjithë në të njëjtin vend dhe nuk kanë konsumuar të njëjtin ushqim.

“Kanë shumë sa janë të helmuar smund të jenë nga ushqimi, sepse s’kanë qenë të gjithë në njëjtin vend. Ajo që po aludojmë deri tani është uji.

Edi Rama inauguroi gjatë fushatës atë tenderin korruptiv të ujësjellësit.

Ne kemi vizituar të sëmurë që janë nëpër dhoma dhe kushtet janë skandaloze. Të mos bëjmë më show, por të themi realitetin.

Sot është prekur jeta e qytetarëve. Pikërisht për shkak të këtyre tenderave korruptivë. Neve na kushton më shumë që të mbajmë në qeveri këto politikanë të korruptuar. Unë nuk dua ta politizoj këtë çështje. Korrupsioni i ka kushtuar shëndetin qytetarëve. Vëzhgoni sa ekipe ka çuar ministria në shtëpi për të ndjekur.”– shtoi Pampuri.