Vendosni fjalën kyçe....

Detaje nga vrasja në Fier/ Demir Backa u qëllua me 18 plumba, 3 të dyshuar për ekzekutimin


Policia e Fierit po kryen hetimet për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Demir Backa të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Fier.

Balkanweb” raporton se deri më tani janë shoqëruar rreth 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje mbi ngjarjen, ndërsa ka dyshime se kanë qenë tre autorë të ekzekutimit.

Sipas ekzaminimit mjeko-ligjor i trupit të viktimës ka rezultuar se 57-vjeçari është qëlluar me 18 plumba: Tre në zonën e qafës dhe kokës dhe rreth 15 të tjerë në kraharor.

Backa u qëllua nga një automjet në lëvizje dhe vetë ai ndodhej në makinë, në zonën e ish-QTU-së në Fier.

Ndërsa një makinë e cila dyshohet se u përdor nga autorët u gjet teksa digjej në afërsi të By pass-it të Fierit. Në këtë makinë u gjetën edhe dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë.

Makina e djegur e autorëve të krimit ndodhet në mjediset e komisariatit të Fierit, aty ku do të ekzaminohet gjithçka ka mbetur prej saj.
Në vendin u ku dogj mjeti janë studiuar të gjitha rrugët nga ku mund të largoheshin autorët.

Lidhja me by pass është shumë afër, çka dhe sipas hetimeve bëjnë që të jetë një ndër rrugët nga ku mund të jenë larguar autorët.

Dy prej autorëve dyshohet se kanë qenë në automjetin tip “Benz” që u gjet i djegur dhe një tjetër që mendohet se i priste ata në zonën e Daullasit.

Pista paraprake për të cilën po heton policia është ajo e hakmarrjes. Demir Backa disa muaj më parë është konfliktuar me një subjekt të OFL-së i cili është edhe person me influencë në këtë qytet.

Viktima është vëllai i Medi Backës, ish-pjesëtar i Bandës së Fierit i cili është vrarë në vitin 1997./ Hashtag.al