Vendosni fjalën kyçe....

Rushaj: Vettingun e politikanëve do e bëjë SPAK-u, çdo organ tjetër do ishte i paragjykuar


Nënkryetari i PD-së, Rushaj, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se vettingun në politikë do e bëjë SPAK-u.

I ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24, kreu i grupit parlamentar tha se do organ tjetër do ishte i paragjykuar.

Po kështu Rushaj theksoi se të gjithë ata që do kapen me pasuri të paligjshme apo që kanë kryer vepra penale do ndiqen penalisht.

Sipas numrit dy të PD-së, selia blu nuk ka ndryshuar qëndrim për sa i përket SPAK-ut por çdo organ tjetër do ishte i paragjykuar në këtë drejtim.

“Vettingu është një iniciativë e kahershme e PD-së, do të thoja e vitit 2018 që është në vazhdën e disa propozimeve që PD ka bërë që prej 2014, për të pastruar politikën nga krimi, të paktën këtë pjesën e dukshme e që ndikon më pas kudo, te vota, ekonomia, tregu. Ajo çfarë ne presim është të ndërpresim lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Presim që ata politikanë që kanë asete pasuri dukshëm me të ardhura jo të ligjshme të ndërpresin mandatin. Presim që, pa paragjykuar askënd, ata politikanë që kanë kryer vepra penale, organet të bëjnë punën e tyre, të ndiqen penalisht. Nuk kemi lëvizur në qëndrimin tonë sa i përket SPAK. Çdo strukturë do ishte e paragjykuar nga njëra apo tjetra palë, apo nga publiku. E shohim si një gjykim që opinioni publik do i bëjë punës së SPAK. SPAK në fakt ka kompetencë edhe sot, të shqyrtojë kryesisht një akuzë që politikanët i bëjnë njëri tjetri për përfshirje në afera kriminale. E ka të drejtë, nuk e bën. Ajo ç’ka ne po bëjmë, është që po ia çojmë ne provat, domethënë politikanët po i vendosin në dispozicion provat që kanë. Së dyti ky është një proces i hapur publik, në dallim nga vendimmarrjet që organet e prokurorisë bëjnë në zyra të mbyllura. Opinioni është fokusuar te SPAK, por procesi ka disa aktorë, është SPAK janë dhe gjykatat. Pra vendimi i SPAK do të jetë subjekt i shqyrtimit të gjykatës.” – tha ndër të tjera Rushaj.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani