Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Komisionit Hetimor të 25 prillit: Bojkoti i PS-së ishte befasi e pakëndshme, kanë strategji për të penguar hetimin


Kryetari i Komisionit Hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit Enkelejd Alibeaj ka dalë në një prononcim për mediat ku foli për mbledhjen e sotme të këtij Komisioni, që sipas tij u bojkotua pa arsye nga anëtarët e maxhorancës. 

Alibeaj tha se ndonëse mbledhja ishte caktuar me dakordësi nga opozita dhe PS-ja, përfaqësuesit socialistë nuk u paraqitën në sallë.

“Kërkuan kohë për t’u përgatitur dhe konsultuar për mbledhjen e sotme me qëllim njohjen e rregullores dhe sjelljen e amendamenteve të kësaj rregulloreje. Në konsultim me zv. kryetarin Toni Gogu i kam komunikuar që mbledhja pasardhëse do të ishte në datën 20 tetor, ora 15:00, që u dakordua në mbledhjen e parë, e kërkuar prej tyre.  Në orën 15:00 anëtarët u paraqitën në sallën e byrosë të ndodhur para një befasie të pakëndshme, një bojkot total i të gjithë anëtarëve të maxhorancës. Duket qartë që nuk kishte asnjë arsye. Arsyeja ishte që meqë jemi në javën e gjelbër të Kuvendit, sot po e marrim pushim dhe caktojmë një datë tjetër.”- tha Alibeaj.

Mes të tjerash, Alibeaj u shpreh se kjo është një strategji të qartë e maxhorancës për të penguar veprimtarinë e hetimit të asaj që e quan “masakër zgjedhore”.

“Në fakt ne jemi këtu jo si detyrim i kërkesës që kemi bërë ne, por si detyrim i vendimit të Kuvendit për të mbledhur në një afat 3 mujor, sot është dita e gjashtë, nesër e shtata, e duket qartë që mungesa e arsyeve e justifikimeve, nuk patën as kohë të na jepni arsyet pse mungonin. Është strategji e qartë e pastër për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Unë e kuptoj fare mirë por ata që janë nën akuzë jo vetëm prej nesh por dhe prej dokumenteve ndërkombëtare është kjo pjesë e maxhorancës. Maxhoranca është e treguar, akuzuar dokumentuar si vjedhësja hajdute shkatërruese e procesit të 25 prillit, është e pritshme që ata të bëjnë gjithcka për të penguar, vonuar zvarritur veprimtarinë e komisionit hetimor. 

Nuk e prisja që të ndodhte që në mbledhjen e parë, duke ditur dhe përgjërimet për shtrirje dore, për dialog, për kthimin e veprimtarisë në forcë të plotë të parlamentit e cudia më e madhe ndodh, bojkot nga maxhoranca.  Kjo tregon cila është qasja e Ramës dhe kësaj maxhorance që ka vjedhur zgjedhjet, mandatet e do përpiqet të bëjë gjithcka për të penguar që në sytë e shqiptarëve të dalë e vërteta siç është. Unë me kolegët do ndjekim të gjithë hapat proceduriale që kushetuta dhe ligji për komisionet hetimore përcakton.”– tha Alibeaj.