Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati Anton Quni fajëson horoskopin për humbjen në zgjedhje: Yjet nuk ishin në favorin tonë


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni ka marrë vetëm 14.98% të votave, duke dalë i treti.

Lidhur me humbjen, në një deklaratë për mediet, ai fajësoi edhe horoskopin. Quni tha se LDK-ja e filloi vonë fushatën në këtë komunë, dhe se yjet nuk kanë qenë në pozicion të favorshëm për të.

 “Është fakt që kemi filluar vonë. Kjo më shumë lidhet me shëndetin tim. Thuajse nga salla e operacionit jam kyçur në fushatë. Besoj që e kemi bërë më të mirën që kemi mundur, me prezantimin e programit, me agjendën tonë, me takimet, me bashkëbisedimet, me promovimet e të gjithë atyre vlerave që ne i ofrojmë për qytetarët. Normal, kjo çështje varet nganjëherë edhe nga pozita e yjeve në horoskop. Këto nuk kanë qenë në favorin tonë.”- tha Quni për Klan Kosovën.

Ai shtoi se ka pasur edhe faktorë tjerë që kanë ndikuar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve: “Janë edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë. Krijohet një opinion. Vetë fakti se përsëriteshin sondazhet publikisht, tregohet sadopak se nga duhet të orientohet vota.”

Në këto zgjedhje, Anton Quni doli i treti pas Mytaher Haskukës së Lëvizjes Vetëvendosje (që mori 40,43% të votave) dhe Shaqir Totajt të Partisë Demokratike të Kosovës (që mori 31,10% të votave).