Vendosni fjalën kyçe....

Punëtorët e transportit në Milano kërcënojnë me grevë kundër pasaportës së vaksinimit


Disa punëtorë të Azienda Trasporti Milanesi (ATM), kompania e transportit publik në Milano, po kërcënojnë me grevë pasi pasaporta e vaksinimit për Covid-19 hyn në fuqi në vendet e punës në Itali.

Kërcënimet për greva u zbuluan këtë javë kur një avokat pohoi se punonjësit e ATM-së po e diskutonin idenë në bisedat e tyre, duke kërcënuar se do të bllokonin transportin publik në të gjithë qytetin italian.

Sipas një raporti nga ‘Il Giornale’, mundësia e ndërprerjeve të mëdha mund të mos jetë e lartë. Rreth 90 përqind e punonjësve të ATM -së janë aktualisht të vaksinuar – por gazeta vëren se ata pak punëtorë që kanë mbetur pa vaksinuar mund të shkaktojnë shqetësime.

Një shofer lokal i tramvajit me njëzet vjet përvojë në pozicionin e tij tha se punëtorët janë polarizuar mbi pasaportën e vaksinës, e njohur si ‘Green Pass’ në Itali. Ndërsa disa punëtorë kanë përqafuar vaksinën, të tjerët pretendojnë se është një ‘mjet diktature’, tha shoferi i tramvajit.

E premtja shënoi ditën e parë që kërkohet ‘Green Pass’ në vendet e punës në të gjithë Italinë. Të gjithë punonjësit në sektorin publik dhe privat ose duhet të vaksinohen plotësisht, të kenë një test negativ Covid, ose të dëshmojnë imunitet pasi e kanë kaluar koronavirusin.

Të premten, punëtorët në Portin e Triestes dhe një turmë prej rreth 6,000 njerëz u mblodhën për të protestuar kundër ‘Green Pass’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani