Vendosni fjalën kyçe....

Polonia do ndërtojë murin 400 milionë dollarë në kufirin me Bjellorusinë në përpjekje për të frenuar emigrantët e paligjshëm


Qeveria e Polonisë ka vendosur të financojë ndërtimin e një gardhi në kufirin me Bjellorusinë, teksa kërkon të frenojë rritjen e fluksit të emigrantëve që përpiqen të hyjnë në vend për të kërkuar azil në Bashkimin Evropian.

Vendimi u njoftua nga ministri i Brendshëm Mariusz Kaminski, i cili shkroi në Twitter se qeveria kishte mbështetur planin për një ‘gardh të fortë dhe të lartë’ të pajisur me pajisje monitorimi.

Projektligji do shkojë në parlament, ku deputetët do të votojnë për projektin që do t’i kushtojë taksapaguesit polak 1.615 miliardë zloty (400 milionë dollarë).

Përpjekja për të mbrojtur kufirin polak vjen pas muajsh të një krize emigrantësh që filloi për herë të parë në maj. Atë muaj, Polonia, Letonia dhe Lituania filluan të raportojnë rritjen e emigrimit të paligjshëm, me mijëra shtetas të vendeve të treta, kryesisht nga Lindja e Mesme, që u përpoqën të kalojnë në BE nëpërmjet Bjellorusisë.

Kriza filloi pasi presidenti Bjellorus Aleksandër Lukashenko paralajmëroi se vendi i tij nuk do të bëjë më asnjë përpjekje për të ndaluar emigracionin e paligjshëm. Tre vendet e BE-së kanë pohuar se qeveria në Minsk ka tërhequr emigrantë nga jashtë dhe po i çon ata në kufi si një formë lufte.