Vendosni fjalën kyçe....

“Mos të zdërhallen tapeteve të kuq”- Basha thirrje SPAK-ut: Çoni para drejtësisë zyrtarët që abuzojnë me pushtetin


Në deklaratën e tij për mediet, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë edhe një herë thirrje SPAK-ut që të marrë seriozisht denoncimet e opozitës.

Ai paralajmëroi se brenda kësaj jave do të depozitohet në SPAK kallëzimi penal për atë që e quan “krizë korrupsioni” dhe jo energjie.

“Dhe si përfundim, një thirrje edhe për institucionet e drejtësisë. Jeni para shumë testesh, por ky është një nga testet kryesore. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë, që kjo është një krizë korrupsioni dhe jo një krizë energjie. Faktet janë publike, ne do të sjellim kallëzimin në SPAK brenda kësaj jave. Thjesht dhe vetëm për t’iu hequr çdo alibi atyre që kërkojnë alibi. Por ata që paguhen me rroga të larta nga taksapaguesit shqiptarë, që u paguhen fluturimet për në Amerikë, por dhe në vende të tjera të Europës për t’u trajnuar sipas praktikave bashkëkohore të FBI-së apo të drejtësisë europiane apo amerikane. Që mbajnë pas vetes eskorta të shtrenjta oficerësh të gardës.

Që u paguhet celulari, nuk janë aty për asgjë tjetër përveçse për të bërë detyrën e tyre para taksapaguesve shqiptarë. Prandaj, le ta kuptojnë në çdo minutë që janë të rrethuar nga komoditeti i zyrës dhe i favoreve të zyrës, se ajo zyrë është krijuar për një dhe vetëm një funksion: për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë zyrtarët dhe politikanët e lartë që abuzojnë me pushtetin dhe që vjedhin pasuritë e shqiptarëve.”–  tha Basha.

Gjatë fjalës së tij, ai bëri edhe një referencë për premierën e filmit të ri të James Bond në Tiranë, ku zyrtarë të lartë të institucioneve të drejtësisë shqiptare u panë të parakalonin në tapetin e kuq.

“Në një vend normal, me institucione normale, sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht, tek drejtuesit famëkeq nga Çela i Durrësit e të tjerët duhet të ishin të paktën të pandehur. Por, ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë mos të zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit fundjavorë në Tiranë dhe të bëjnë detyrat e tyre para shqiptarëve dhe të taksave që u vidhen shqiptarëve, ne nuk mund të rrimë duarkryq.

Ndaj, për ne kjo javë do të vazhdojë siç ka nisur. Me një ofensivë që do të ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni që po maskohet gjoja si krizë energjie, po përkthehet në rritje të tmerrshme të çmimeve të gjithanshme.”– janë fjalët e Bashës.