Sinjalizuesi i Facebook do ta çojë historinë e saj para Senatit Amerikan
Një ish-punonjëse e Facebook, e cila ka akuzuar kompaninë se i ka dhënë përparësi fitimit të saj në kurriz të sigurisë, do i çojë akuzat e saj të rënda në Uashington të martën, kur të dëshmojë para senatorëve amerikanë.
Frances Haugen, 37 vjeç, u shfaq të dielën si sinjalizuese pas një sërë raportesh të rënda në Wall Street Journal që kanë rritur presionin e mëtejshëm politik mbi gjigantin e teknologjisë. Haugen tha për programin e lajmeve ‘60 Minuta’ se përparësia e Facebook ishte të fitonte para dhe jo të bënte atë që ishte më e mira për publikun.
“Gjëja që pashë në Facebook vazhdimisht ishte se kishte konflikte interesi midis asaj që ishte e mirë për publikun dhe asaj që ishte e mirë për Facebook. Dhe Facebook, pa pushim, zgjodhi të punonte për interesat e veta, si të fitonte më shumë para,” – tha ajo.
Haugen pritet t’u thotë ligjvënësve se Facebook përballet me pak mbikëqyrje dhe do të nxisë Kongresin të ndërmarrë veprime.
“Për sa kohë që Facebook po funksionon në errësirë, nuk i jep llogari askujt. Dhe do të vazhdojë të bëjë zgjedhje që shkojnë kundër së mirës së përbashkët,” shkroi ajo në dëshminë e saj me shkrim.
Haugen u thirr për të dëshmuar para nënkomitetit tregtar të Senatit Amerikan për rreziqet që produktet e kompanisë paraqesin për fëmijët. Ligjvënësit e thirrën seancën në përgjigje të një shkrimi të Wall Street Journal bazuar në dokumentet e Haugen, që treguan se Facebook ishte në dijeni të dëmit që aplikacioni i tij në Instagram po i shkaktonte shëndetit mendor dhe mirëqenies së adoleshentëve.
Një sondazh në hulumtimin e publikuar vlerësoi se 30% e vajzave adoleshente mendonin se Instagram e bënte pakënaqësinë me trupin e tyre edhe më keq.
Ajo pritet të krahasojë Facebook-un me kompanitë e cigareve.
“Kur kuptuam se kompanitë e cigareve po fshehin dëmet që shkaktoi, qeveria ndërmori veprime. Kur kuptuam se makinat ishin më të sigurta me rripa sigurie, qeveria ndërmori veprime,” shkroi Haugen.
“Ju lutem që të bëni të njëjtën gjë këtu.”
Haugen do të argumentojë se modeli i mbyllur i Facebook do të thotë se nuk ka mbikëqyrje, madje edhe nga bordi i tij mbikëqyrës, një grup rregullator që u formua në vitin 2020 për të marrë vendime të pavarura nga lidershipi i korporatës së Facebook.
Senatori demokrat Richard Blumenthal, komiteti i të cilit po pret seancën e së martës, i tha gazetës ‘Washington Post’s Technology’ se ligjvënësit do të pyesin Haugen për vërejtjet e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Haugen pretendoi në ‘60 Minuta’ se pas fitores së Joe Biden në zgjedhje, Facebook rivendosi para kohe algoritmet e vjetra që vlerësonin angazhimin mbi gjithçka tjetër, një veprim që ajo tha se kontribuoi në sulmin e 6 janarit në Kapitol.
“Sapo mbaruan zgjedhjet, ata i fikën ato ose ndryshuan cilësimet, duke i kthyer siç kanë qenë më parë, për t’i dhënë përparësi rritjes së kompanisë mbi sigurinë. Dhe kjo me të vërtetë ndjehet si një tradhti ndaj demokracisë,” tha ajo.
Pas zgjedhjeve, Facebook gjithashtu shpërndau ekipin e tij të integritetit, një grup që punoi në çështjet që lidhen me zgjedhjet politike në mbarë botën, pjesë e së cilës ishte Haugen. Facebook ka thënë se funksionet e ekipit janë shpërndarë në të gjithë kompaninë.
Haugen u bashkua me Facebook në vitin 2019 si menaxhere produkti në ekipin e integritetit pasi kaloi më shumë se një dekadë duke punuar në industrinë e teknologjisë, përfshirë në Pinterest dhe Google.
Seanca e së martës është e dyta në javët e fundit që përqendrohet në ndikimin e Facebook tek fëmijët. Javën e kaluar, ligjvënësit kryqëzuan Antigone Davis, drejtuesja globale e sigurisë në Facebook, dhe akuzuan kompaninë se ‘në mënyrë të zakonshme’ e vë rritjen e fitimeve mbi sigurinë e fëmijëve.
Facebook ka kundërshtuar në mënyrë agresive akuzat.
Të premten, nënkryetari i kompanisë për politikat dhe çështjet publike, Nick Clegg, u shkroi punonjësve të Facebook para daljes publike të Haugen.
“Media sociale ka pasur një ndikim të madh në shoqëri vitet e fundit dhe Facebook është shpesh një vend ku shfaqet shumica e këtij debati,” tha ai.
“Por dëshmitë e deritanishme nuk e mbështesin denë se Facebook, ose media sociale në përgjithësi, është shkaku kryesor i polarizimit.”
Të hënën, Facebook i kërkoi një gjykatësi federal të hedhë poshtë një padi të ngritur nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) që kërkon të detyrojë gjigantin e kompanisë të shesë Instagram dhe WhatsApp.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian