Vendosni fjalën kyçe....

Goditet banda e trafikut të emigrantëve egjiptianë nga Shqipëria drejt Italisë, 5 të arrestuar


Policia e Vlorës njofton se ka goditur një rast të tentativës për kontrabandim të emigrantëve nga vendet e treta në drejtim të Italisë.

Sikurse bëhet me dije, gjatë operacionit të koduar “Bristani”, të kryer në bashkëpunim me Guardia di Finanza, janë arrestuar pesë persona si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

Të dyshuarit janë tre nga Vlora, dy nga Tirana si dhe një person me shtetësi Egjiptiane. Sipas hetimeve, këta persona i ndihmonin emigrantët e paligjshëm duke i transportuar në rrugë tokësore me automjet deri në qytetin e Orikumit, më pas në këmbë deri në vendin e quajtur “Gjiri i Bristanit”, nga ky dyshohet se do të siguronin kalimin e tyre me mjete lundruese drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në DPPSH, Delta Force dhe Guardia di Finanza, pas informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan operacion policor të koduar “Bristani”, në kuadër të cilit bënë kapjen dhe ndalimin e 5 autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:

-K. Gj., 38 vjeç, banues në Vlorë;

-M. Sh., 61 vjeç, me shtetësi Egjiptiane;

-F. B., 36 vjeç, banues në Vlorë;

-R. H, 44 vjeç, banues në Tiranë;

-A. Ll., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. L., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë transportuar nga Tirana në qytetin e Vlorës 15 shtetas të huaj (egjiptian), duke i transportuar më pas në rrugë tokësore me automjet deri në qytetin e Orikumit, duke vijuar udhëtimin në këmbë deri në vendin e quajtur “Gjiri i Bristanit”, nga ky dyshohet se do të siguronin kalimin e tyre me mjete lundruese drejt Italisë, kundrejt shpërblimit monetar.

Vijon puna hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.