Vendosni fjalën kyçe....

ERE nis procedurat për heqjen e 9 licencave të prodhimit dhe tregtimit të energjisë


Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurën për heqjen e nëntë licencave të prodhimit ose tregtimit për shkak se operatorët nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore.

Kjo ka të bëjë me pagesën rregullatore që të licencuarit nga ERE duhet të bëjnë çdo vit pranë këtij institucioni dhe që duket se për 2020 nuk kanë arritur ta bëjnë.

Sipas Entit ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” parashikon që për moskryerjen e pagesës rregullatore nga ana e të licencuarit brenda afatit të përcaktuar, ERE ndëshkon me gjobë deri në 3 për qind të të ardhurave të vitit paraardhës të të licencuarit, si dhe ka të drejtë të aplikojë një kamatëvonesë mbi vlerën e pagesës rregullatore, në masën e 0.2 % të xhiros ditore për çdo ditë vonesë në pagesën e saj dhe në germën ç), të nenit 42 parashikon se, ERE heq një licencë kur i licencuari nuk kryen pagesat e rregullimit, të vendosura nga ERE, siç përcaktohet nga neni 17, i këtij ligji.

Rregullatori shpjegon se pavarësisht se ligji parashikon “gjobën” në disa raste kjo nuk mund të aplikohet pasi subjektet mund të mos kenë ushtruar aktivitet edhe pse licencën e kanë aktive.

“Sa i përket masës administrative “gjobë”, referuar parashikimeve të sipërcituara ligjore, kalkulimi i masës së gjobës bëhet mbi bazën e të ardhurave vjetore të vitit financiar paraardhës të të licencuarit. Në zbatim të këtyre parashikimeve ligjore dhe ne bazë të të dhënave të ushtrimit të aktivitetit të licencuar, rezulton se kjo masë mund të aplikohet vetëm për disa prej subjekteve debitore të vitit 2020, pasi ka subjekte që nuk e kanë ushtruar veprimtarinë e licencuar për vitin paraardhës e për këtë arsye në zbatim të rregullores për miratimin e pagesave rregullatore, i është vendosur shuma fikse” sqaron ERE.

Për pagesën që i detyrohen entit subjektet e licencuar kanë marrë dijeni më herët përmes vendimit që është nxjerrë nga ky institucion dhe publikimit të tij në Fletoren Zyrtare.

Pavarësisht se ERE ka nisur procedurën për heqjen e licencës, të licencuarit kanë të drejtë për t’u përgjigjur me shkrim brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për fillimin e procedurave për heqjen e licencës. Në rast se pagesa bëhet në kohë atëherë hapësirat ligjore lejojnë Entin që të tërhiqet nga kjo nismë dhe të lerë në fuqi licencën e kompanisë përkatëse./N.Maho

Kompanitë ndaj të cilave ka nisur heqja e licencës

“SPAHIU GJANÇ” sh.p.k. (Prodhim dhe Tregtim)

“PURE ENERGY STEBLEVA” sh.p.k (Prodhim)

“SELISHTË” sh.p.k (Prodhim)

“SAROLLI” sh.p.k (Prodhim)

“HIDROPOWERPLANT CONSTRUCTION” sh.p.k (Prodhim dhe Tregtim)

“BALKAN ENERGY TRADE” sh.p.k (Tregtim)

“C.G.C” sh.p.k., (Tregtim).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor