Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen pritet në Presidencë nga Meta, pas këtij takimi niset drejt Fushë-Krujës


Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen është pritur në një takim nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta.

Menjëherë pas pritjes që iu bë në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama, Von Der Leyen u nis drejt Presidencës.

Në foton e publikuar nga zyra e shtypit në Presidencë, dy zyrtarët e lartë shihen duke u përshëndetur me dorë në zemër, duke shmangur përshëndetjen e zakonshme të shtrëngimit të duarve për shkak të situatës së Covid-19.

 “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta pret në takim Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe delegacionin zyrtar, që e shoqëron.”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Pas këtij takimi me kreun e Shtetit, zonja Von Der Leyen pritet nga momenti në moment që të mbërrijë në fshatin Qerekë në Fushë-Krujë, ku së bashku me kryeministrin do të marrë pjesë në përurimin e shkollës ‘Korb Muça’ dhe Kopshtit ‘Europa’, të cilat u rindërtuan me fondet e BE -së në kuadër të programit EU4Schools pas tërmetit të vitit 2019.