Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Supreme e Meksikës vendos lejimin e aborteve, aktivistët e të drejtave të grave e quajnë historike


Gjykata Supreme e Meksikës ka vendosur njëzëri se ndëshkimi i abortit është antikushtetues, duke dekriminalizuar procedurën. Ky veprim vjen disa ditë pasi një ndalim i ashpër i abortit hyri në fuqi përtej kufirit në Teksas.

Gjykata e lartë meksikane shqyrtoi çështjen e aborteve pasi iu kërkua të vendoste mbi një ligj në shtetin verior të Coahuila. Kodi penal i shtetit parashikonte një dënim deri në tre vjet burg për gratë që kryejnë abort dhe për ato që ofronin shërbimin.

Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë, edhe pse vetëm në shtetin e Coahuila, dhe nuk i lejon ende abortet në të gjithë vendin. Megjithatë, vendimi përcakton një ‘kriter të detyrueshëm për të gjithë gjyqtarët e vendit’, duke i detyruar ata të vendosin sipas të njëjtit precedent, tha Presidenti i gjykatës Arturo Zaldivar. Vendimi mori mbështetje njëzëri nga anëtarët e Gjykatës Supreme.

Vendimi u përshëndet nga aktivistët e të drejtave të grave në vend, të cilët thanë se masa ka të ngjarë të ketë një ndikim përtej Meksikës. Në shumicën e vendeve të Amerikës Latine, aborti mbetet i paligjshëm me përjashtim të rrethanave të rralla, të tilla si kur jeta e nënës është në rrezik, dëmtimi i fetusit ose rastet e përdhunimit.