Vendosni fjalën kyçe....

Kosova heq nga përdorimi mbi 130 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca


Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, njoftoi të mërkurën se 133,234 doza të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit janë hequr nga përdorimi, për shkak të skadimit të afatit.

Vaksinat kanë qenë pjesë e një donacioni nga Norvegjia.

“Si Ministri e Shëndetësisë kemi lajmëruar qysh në fillim se afati i tyre është deri më 31 gusht”, tha Vitia.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, ai tha se “dezinformatat për afatin e këtyre vaksinave” kanë bërë që të bie besimi në to dhe që qytetarët të refuzojnë marrjen e tyre.

Vitia tha se Kosova, aktualisht, nuk është në situatë kur duhet të zgjedhë vaksina, “sidomos kur ato janë të sigurta”.

“Vaksinat që janë në stoqet tona, janë të sigurta”, tha Vitia, duke shtuar se sigurinë e tyre e garantojnë edhe mekanizma si: Organizata Botërore e Shëndetësisë, Agjencia Evropiane e Barnave apo Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së.

Dy vaksinat kundër koronavirusit që përdor Kosova, janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.