Vendosni fjalën kyçe....

Nga vaksinimi me detyrim e ora policore te rregullat e hyrjes në Shqipëri – Vendimet e Komitetit të Eksertëve


Komiteti i Ekspertëve vendosit sot vaksinimin e detyrueshëm për personelin shëndetësor, mësuesit e studentët. Ajo tha se vaksinimi do kryhet gjatë muajit shtator e në fund të tij të gjitha kategoritë do duhet të dorëzojnë dokumentin e vaksinimit.

“Vlerësohet që shtatori të jetë periudhë që arsimtarët, stafet dhe studentët të kryejë vaksinimin dhe deri në datën 30 shtator të dorëzojnë vërtetim pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentë pranë zyrave të përcaktuara, kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania. Për ata që nuk e kanë vaksinën do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë.” – tha Rakacolli.

Gjatë prezantimit të rekomandimit, zv.ministrja e Shëndetësisë Rakacolli tha se lloji Delta i Covid-19 po përhapet me shpejtësi dhe po prek më rëndë të pavaksinuarit.

Gjatë fjalës së saj, shefja e Komitetit të Ekspertëve paraqiti masat e tjera që ndryshojnë duke nisur nga data 1 shtator. Ora policore ngushtohet me 60 minuta duke shkuar nga ora 24:00 në 06:00 në 23:00 me 06:00.

Po kështu nga data 6 shtatori, të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri duhet të tregojnë një nga tre dokumentet e poshtëshënuara.

Pasaportën e vaksinimit, që duhet të tregojë se personi është vaksinuar plotësisht dy javë para hyrjes në Shqipëri.

Rezultatin negativ për Covid-19 me anë të tamponit të vlefshëm deri në 72 orë ose të një testi të shpejtë të vlefshëm deri në 48 orë.

Ndërsa dokumenti i tretë që vlen është testi serologjik me vlefshmëri gjashtë mujore.

Shtetasit shqiptarë që nuk kanë asnjë nga tre dokumentet e mësipërme, do duhet të vetëkarantinohen për 10 ditë në banesë pas hyrjes në vend dhe duhet të informojnë autoritetet për kryerjen e një testi që do tregojë gjendjen e tyre nëse janë të prekur nga koronavirusi i ri.

Po kështu maskat do jenë të detyrueshme në mjedise të mbyllura ku nuk është e mundur ruajtja e distancimit social. Rakacolli paralajmëroi se në rast shkeljesh, qytetarët do përballen me penalizimet që janë në fuqi.

Më herët, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu paralajmëroi vaksinimin e detyrueshëm për kategori të caktuara duke thënë se kjo bëhet në emër të jetës dhe detyrimeve ndaj jetës së të tjerëve.

Sipas saj, lloji Delta i Covid-19 po përhapet me shpejtësi në mbarë botën dhe po prek me shpejt e më rëndë të pavaksinuarit.