Vendosni fjalën kyçe....

Profesor Gjekmarkaj: Vendimet e guximshme të Mark Markut lënë shije habie nga pas, të maten mirë ata që mbushin grushtet me baltë…


Deputeti i zgjedhur i PD-së, Agron Gjekmarkaj, i ka dalë në mbrojtje Mark Markut, pas dorëheqjes së këtij të fundit nga mandati i deputetit ditën e djeshme.

Profesor Gjekmarkaj thotë në reagimin e tij se Marku është një personalitet akademik, publik e politik me integritet të lartë.

Po kështu ai shton se se Marku është njeri i vendimeve të guximshme.

“Të gjithë ata që nxitojnë për një shkak, a një tjetër të hedhin baltë, të bëjnë insinuata ndaj Markut për trille a komplekse, a thjeshtë për smirë, ndiej detyrimin t’ju them që Mark Marku është personalitet akademik, publik e politik me integritet të lartë e të pacënueshëm, njeri i vendimeve të guximshme të cilat lënë shije habie nga pas, por edhe shumë nevojë për reflektim e meditim. Duhet të maten mirë kur i mbushin grushtat me baltë për të rënë në sy si gardian të devotshëm.” – deklaroi Gjekmarkaj.

Në fund, deputeti i zgjedhur thekson se do bëjë gjithçka për të mbajtur premtimet ndaj tyre në fushatë duke u përballur dhëmb për dhëmb me qeverinë më banale e të korruptuar në këto 30 vite.

“Qytetarëve të Lezhes, Mirditës dhe Kurbinit, votuesve tanë, qytetarëe dhe demokratëve ndiej për detyrë t’u them përpjekja do të jetë maksimale për t’i përfaqësuar për të mbajtur çdo premtim etik që së bashku me Profesor Markun u bëmë gjatë fushatës elektorale për një përballje, të pashoqe, të pakompleksuar, dhëmb për dhëmb, e sy për sy, me qeverinë më banale e korruptive, më të keqen e më të pështiren e këtyre 30 viteve.” – mbyll reagimin Gjerkmarkaj.