Vendosni fjalën kyçe....

Loja me shqiptarët – E zgjodhën deputete por Najada Çomo tërhiqet, çfarë thoshte kur garonte


E zgjodhën deputete por një ditë të bukur, ende pa nisur as punën si ligjvënëse, Najada Çomo, ish-shefja e Infektivit dorëhiqet.

Nuk dihet se cila është arsyeja e vërtetë pas këtij vendimi, nëse Çomo ka lakmuar pozicione më të rëndësishme në qeverinë Rama duke krijuar pakënaqësi apo nëse kjo ka qenë marrëveshja fillestare mes saj dhe Ramës.

Publikisht Rama tha se Çomo do t’i rikthehet punës në spital për shkak të variantit Delta të koronavirusit.

Por çfarë u deklaronte zgjedhësve gjatë fushatës së 25 prillit të këtij viti Çomo? “Kush më mirë se sa mua”, shprehej ajo në një videomesazh.

Në videon e publikuar në faqen zyrtare të kryeministrit në “Facebook” gjatë fushatës, Çomo shprehej se kush më mirë se ajo mund të reflektonte punën e madhe të bërë në spitalet COVID.

“Pasi mbarova fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1985, kam filluar punë në spitalin Infektiv dhe që nga ai vit unë nuk jam ndarë prej atij shërbimi. Ka qenë një punë me përkushtim, me studim, me instruktim, dhe natyrisht me dinjitet professional për t’i shërbyer pikërisht pacientëve në këtë spital.

Unë e pranova ftesën sepse kush më mirë se mua ta reflektojë punën e madhe të bërë në spitalet COVID, besoj të vlefshme, për mbarëvajtjen e shëndetit të popullatës dhe për ta bërë më të mirë këtë pjesë të politikës që jemi sot.

Një nga motivet e forta për të vazhduar punën në mënyrë korrekte ka qenë dhe suporti i kryeministrit të vendit, zotit Rama në mbarëvajtjen e kësaj pandemie. Ajo që na nevojitet më shumë nga të gjitha është që duhet të besojmë shumë shumë shumë tek masat dhe tek e ardhmja, që besoj se do të jetë më e mirë se sa sot.”– thoshte zonja Çomo, e cila ishte e dyta në listën e PS-së për qarkun e Tiranës.

Çomo ka folur në videomesazh për korrektesë. Po për korrektesën ndaj zgjedhësve që e votuan, a do ketë diçka për të thënë?!

Na mbetet të presim se cili do të jetë deputeti socialist që do zëvendësojë Çomon. Në listë është ish-ministrja Mimi Kodheli. Në Tiranë Partia Socialiste fitoi 18 mandate./ Hashtag.al

Lista e kandidatëve të PS-së dhe lista e fituesve