Vendosni fjalën kyçe....

Duhet ngadalësuar lëvizja ndërkombëtare e kapitalit


Nga Arbër Zaimi

Turqia po ndërton qindra kilometra mur për të ndalur dyndjet e refugjatëve. Greqia po ashtu po ndërton mur. Hungaria e ka rrethuar kufirin me tela me gjemba.

30 vite mbas rrëzimit të murit të Berlinit këto.

Zizeku dje shkruante se imponimi i politikës liberale “më shumë liri për gratë etj.” në Afganistan, i pashoqëruar me politikë të barazisë, prodhoi mbështetje (ardhje në pushtet pa rezistencë) të Talibanëve. Pra 20 vjet promovim i të drejtave individuale, i shoqëruar me pabarazi ekstreme – prodhoi mbështetje për një politikë që mbyt të drejtat individuale dhe rikthen pushtetin e kastave e gjinive.

Njësoj mund të thuhet për muret, që po mbijnë si kërpudha pas shiut: 40 vite propagandë neoliberale për liri të lëvizjes, shoqëruar me pabarazi ekstreme mes popujsh, klasash dhe individësh, nuk mund të mos sillnin si përfundim të kundërtën simetrike të lirisë së lëvizjes: murin.

Reagimi liberal ndaj kësaj i tipit “rrëzoni muret, hiqni vizat” që njerëzit të lëvizin lirshëm, do të prodhojë forcimin e të njëjtit reagim, dhe tragjedi të tjera. Në vend që të kërkohet përshpejtimi i lëvizjes së njerëzve (të cilët sidoqoftë ndjekin kapitalin, përgjithësisht shkojnë në vende të pasura qoftë për punë, turizëm, shkollë, apo për të mbyllur paratë në bankë), duhet ngadalësuar lëvizja ndërkombëtare e kapitalit. Lëvizja e shpejtë e bën atë vështirë të taksueshëm dhe të papërgjegjshëm ndaj shoqërive, shteteve e natyrës.