Vendosni fjalën kyçe....

Fundoset hekurudha, 5-fishoi humbjen financiare në vitin e pandemisë, arriti 16.7 milionë euro


Prej vitesh sektori i transportit hekurudhor po përjeton pikiatën rënëse që duket se ka kulmuar në vitin e pandemisë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania publike Hekurudha Shqiptare regjistroi në vitin 2020 një humbje prej 2 miliardë lekësh apo rreth 16.7 milionë euro një shifër kjo që është pesë herë më e lartë se rezultati i vitit 2019. Në këtë vit humbja financiare ishte mbi 400 milionë lekë (3.3 mln euro).

Ndryshe nga sa ka ndodhur në sektorë të tjerë të ekonomisë ku karantina apo paralizimi që solli pandemia ndikoi dukshëm tek të ardhurat e mbledhura, në fakt ky është faktori që ka pasur shumë pak peshë në humbjen totale të kompanisë publike.

Të ardhurat nga aktiviteti thuajse u përgjysmuan në raport me vitin 2019 në vitin 2020 ku u mblodhën vetëm 80 milionë lekë. Ndërsa të ardhurat totale ranë me 2.5%.

Ndikimin kryesor në rritjen e humbjeve të kompanisë e dhanë shpenzimet e amortizimit dhe zhvlerësimit të aseteve të saj. Ky zë shpenzimesh akumuloi vlerën 1.8 miliardë lekë apo 90 për qind të humbjes totale të regjistruar. Një vit më parë, pra në vitin 2019 shpenzimet e kësaj kategorie ishin vetëm 418 milionë lekë.

Hekurudha Shqiptare ka mbajtur pak a shumë në të njëjtin nivel shpenzimet për personelin në një vlerë prej 402 milionë lekësh ndërkohë që të punësuar ishin mbi 947 persona. Në vitin 2019 sipas të dhënave numri i të punësuarve ishte pak më i lartë në nivelin 971.

Hekurudha shqiptare që prej ndryshimit të kuadrit ligjor disa vite më parë ka hyrë në një fazë ristrukturimi por mbetet e paqartë ecuria e këtij procesi ndërkohë që situate e vështirë financiare vazhdon prej kohësh me një rrjet të amortizuar me nevoja shumë të larta investimi.

Aktualisht projekti kyç ku është e angazhuar Hekurudha Shqiptare është ajo për rehabilitimin dhe ndërtimin e linjës modern Tiranë-Durrës dhe me zgjatimin e ri Tiranë-Rinas e cila po mbështetet financiarisht nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Projekti do të zbatohet nga kompania italiane INC SPA  me të cilën Hekurudhat nënshkruan kontratën në shkurt të këtij viti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor