Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli lehtëson kufizimet për Gazën pas ndalimit të përplasjeve


Zyrtarët izraelitë thanë të premten (13 gusht) se pas përmirësimit të situatës së sigurisë, Izraeli do të autorizojë hyrjen e tregtarëve palestinezë dhe mallrave nga Gaza, për herë të parë pas më shumë se një viti.

Organi ushtarak izraelit që është përgjegjës për çështjet civile në territoret e okupuara palestineze, COGAT, tha se “1.000 tregtarë dhe 350 sipërmarrës të Gazës do të lejohen të hyjnë në Izrael nga e diela (15 gusht)”.

Autoritetet izraelite thanë gjithashtu se “do të rifillojnë edhe eksportet nga Rripi i Gazës në Izrael përmes kalimit Kerem Shalom, dhe importet nga Izraeli në Rripin e Gazës do të zgjerohen – duke përfshirë mallra nga sektori i transportit dhe komunikimit”.

Megjithatë, ky organ ushtarak i Izraelit tha se relaksimi i masave “është i kushtëzuar me ruajtjen e vazhdueshme të sigurisë së rajonit”.

Lejet e hyrjes do të lëshohen “vetëm për ata që janë vaksinuar ose janë shëruar nga COVID-19”, thuhet në njoftim.