Vendosni fjalën kyçe....

Tarantino nuk i dha nënës asnjë cent pas suksesit të arritur, arsyeja


Një nga artistët më me ndikim në botë, regjisori Quentin Tarantino ishte zotuar se kur të bëhej i suksesshëm nuk do t’i jepte nënës së tij asnjë cent nga të ardhurat që do fitonte.

Tarantino ka treguar për podcastin “Momenti” se pse ai kishte marrë një vendim të tillë, raportojnë mediet ndërkombëtare.

Gjithçka ka lidhje me fëmijërinë e tij, kur mësuesit e kishin parë punën e tij të hershme krijuese si një “akt devijimi për shkak të rebelimit” në vend që të merrej me detyrat që jepte shkolla.

Po ku hyn këtu nëna e tij? Sepse pas kësaj ndodhie në shkollë, nëna e tij Connie Zastoupil mori shkas të bënte sjelljen që pati.

“Po më bërtiste dhe pastaj më tha: “Ah, meqë ra fjala, kjo “karriera e vogël e shkrimit”, duke bërë thonjëzat me gishtërinj, kjo “karriera e vogël e shkrimit” që po merresh?! Ky budallallëk ka marrë fund!”, rrëfeu Tarantino mbi interpretimin sarkastik që nëna e tij i bëri artit të tij në rini.

Por çfarë përgjigje mori nëna e artistit?

“Mirë, zonjë. Kur të bëhem një skenarist i suksesshëm, ti nuk do të marrësh asnjë cent nga suksesi im. Nuk do të kesh shtëpi. Nuk do të kesh pushime. Nuk do të ketë Elvis Cadillac për mamin. Nuk do të marrësh asgjë. Vetëm sepse ti e the këtë gjë.”, i është përgjigjur regjisori.

Dhe në fakt ai tregoi se e ka mbajtur fjalën. E vetmja ndihmë që kishte marrë nëna e tij ishte lidhur me një çështje taksash, as shtëpi, as Kadillak.

“Ka pasoja mbi fjalët teksa i drejtoheni fëmijëve, kujtohuni, ka pasoja për për tonin sarkastik për atë që ka kuptim për ta”, theksoi regjisori.

Kush është nëna e Quentin Tarantino?

E identifikuar si Connie Zastoupil, nëna e Tarantinos thuhet se ishte 16 vjeç kur lindi regjisorin. Kur Tarantino ishte 4 vjeç, Connie u transferua në Los Angeles me vogëlushin e saj dhe kur djali ishte në shkollë, talenti i tij për të shkruar u shfaq. Tarantino pohoi në intervistë se autoritetet e shkollës nuk e trajtuan me dashamirësi teksa shkruante skenare.

Tarantino pretendoi se kishte shkruar tashmë një skenar të quajtur “Kapiteni Peachfuzz dhe Banditi Anchovy” në moshën 12 vjeç.