Vendosni fjalën kyçe....

Lille fiton Superkupën e Francës për herë të parë në historinë e saj, mund PSG


Lille e ka fituar Superkupën e Francës për herë të parë në historinë e klubit, pasi e mundi rivalin e përbetuar Paris Saint-Germainin 1:0 të dielën.

Xeka e shënoi golin e triumfit për kampionin francez para rreth 30 mijë tifozëve në Tel Aviv, për t’ia fituar Lille-it trofeun e dytë sezonal.

Edicioni i 26-të i Superkupës së Francës u zhvilluar në Stadiumin Bloomfield në Tel Aviv të Izraelit.

Triumfin për Lille e bën edhe më të ëmbël fakti se në finale e mundi rivalin e madh PSG, duke ia ndërprerë një seri prej tetë trofeve radhazi në këtë garë.

Lille dhe PSG u përballen në Superkupë si fitues të Ligue 1 dhe të Kupës së Francës.

Kampioni francez i kishte humbur dy finale paraprake por një goditje e jashtëzakonshme raketë nga Xeka në minutën e 45-të e mposhti Keylor Navasin dhe i mjaftoi skuadrës së Jocelyn Gourvennec për të triumfuar.

PSG-ja u paraqit me shumë mungesa në këtë finale, pasi trajneri Mauricio Pochettino nuk i pati në dispozicion yjet kryesore si Neymar, Kylian Mbappe, Angel Di Maria, Marquinhos, Marco Verratti dhe Sergio Ramos, etj.

Skuadra e Pochettinos e mbizotëroi kampionin francez, pavarësisht mungesave të mëdha, por i mungoi efikasiteti para portës.

Leo Jardim i bëri disa pritje madheshtore për t’ua mohuar golin parisienëve, duke i ndalur goditjet e Julian Draxler dhe Mauro Icardi në pjesën e parë.

Presnel Kimpembe ia doli të shënojë për PSG-në por goli i tij u shfuqizua nga gjyqtari për pozitë jashtë loje.

Mbase mundësia më e mirë e PSG-së erdhi në minutën e 95+, kur Jardim bëri mrekullinë duke e pritur një goditje të Georginio Wijnaldum nga afërsia.

Lille e mbylli sezonin e kaluar në mënyrë të përkryer, duke e mundur rivalin e përbetuar në garë për titull në Ligue 1 dhe në Superkupë.