Vendosni fjalën kyçe....

“Top Channel”: Janë nxjerrë nga kampet e Sirisë 14 fëmijë


Janë nxjerrë nga kampet e Sirisë 14 fëmijë, raporton “Top Channel” që ka burime zyrtare pranë kryeministrit.

Kjo e çon numrin e të riatdhesuarëve në 19, ndërsa më herët një gazetar kurd lajmëronte se numri i tyre ishte 8.

Parashikohet që ata të mbërrijnë në Shqipëri të dielën, 1 gusht.

Ekipi shqiptar i përbërë nga Marc Ghorayeb këshilltar jo rezident i kryeministrit Edi Rama si dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit si dhe Kolonel Fauzi Shamaun zv. drejtor i Sigurisë Kombëtare libaneze, krahu i djathtë i Gjeneral Abas Ibrahim drejtor i Sigurisë Kombëtare në Liban, ndodhen këto momente në zonën Al Hasaka në Sirinë Verilindore për të marrë 19 shtetasit shqiptarë. Ata fillimisht do të udhëtojnë drejt Damaskut e më pas do të mbërrijnë në Bejrut, raporton “Top Channel”.

Të shpëtuarit më pas do të qëndrojnë në një vendndodhje sekrete, nën ruajtjen e forcave të sigurisë dhe kujdesin personal të drejtorit të Sigurisë Kombëtare të Libanit Gjeneral Abas Ibrahim, pa angazhimin e të cilit kjo nuk do të arrihej.

Sikurse edhe në operacionin e dytë tetorin 2020, kur u riatdhesuan një grua bashkë me katër fëmijë, në Bejrut ka shkuar vetë kryeministri Edi Rama bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Bledi Çuçi dhe Gledis Nano drejtor i Drejtorisë së Anti-terrorit në Policinë e Shtetit.