Vendosni fjalën kyçe....

PD reagon për vendimin e qeverisë: Rama nuk pyet për drejtësinë e re, truallin e Teatrit e sheh si burim parash


Partia Demokratike ka reaguar për vendimin e sotëm të qeverisë për kalimin në pronësi të truallit të Teatrit Kombëtar te Bashkia Tiranë.

Nëpërmjet deputetes së zgjedhur Albana Vokshi, vendimi është akt poshtërues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo sipas Vokshit pasi vetëm pak javë më parë Gjykata Kushtetuese e gjeti si të jashtëligjshëm kalimin në pronësi të godinës së Teatrit në pronësi të Bashkisë.

Vendimi i qeverisë për të kaluar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës është një akt tjetër poshtërues për qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i pak javëve më parë nga Gjykata Kushtetuese thotë qartë se vendimi i qeverisë i një viti më parë për të kaluar Teatrin në pronësi të Bashkisë së Tiranës ishte antikushtetues, në dëm të trashëgimisë kulturore kombëtare”-shkruan Vokshi.

Vokshi më tej shton se ky vendim tregon se Rama nuk pyet për institucionet e reja të drejtësisë kur vendimet e tyre pengojnë planet korruptive.

Vendimi do të thotë se Edi Rama nuk pyet për institucionet e reja të drejtësisë, kur vendimet e tyre pengojnë planet e tij korruptive me tokën e Teatrit Kombëtar.

PD e ka thënë që prej ditës së parë se Edi Ramës, nuk i intereson një Teatër i ri Kombëtar, por vetëm trualli i tij, të cilin e sheh si burim për të përfituar para dhe pasuri të paligjshme”-shkruan deputetja.

Eksponentja e PD-së thotë se kalimi në pronësi të Bashkisë është pasojë e tjetërsimit të votës dhe se vendimet e Ramës do jenë kundër interesit të qytetarëve pasi pushteti i buron nga “masakra zgjedhore” e 25 prillit.

Kalimi ne pronësinë e Bashkisë së Tiranës i truallit të Teatrit Kombëtar është pasojë e tjetërsimit të votës së qytetarëve. Një kryeministër si Edi Rama, pushteti i të cilit buron nga masakra elektorale e 25 prillit, ka për të marrë gjithmonë vendime kundër interesit të qytetarëve. Në vend të një kryeministri, vendi do të sundohet nga një politikan që del mbi gjykatat dhe mbi ligjin.

Është koha që SPAK të mos provohet si vegël në duart e sundimtarit Rama. Është koha që Edi Rama dhe Erion Veliaj të dalin para drejtësisë dhe të ndalohet masakra tjetër me tokën e Teatrit Kombëtar!”-shkruan Vokshi.