Vendosni fjalën kyçe....

Erion Braçe godet sërish betonizimin, përmend Palasën ku ka ndërtuar Samir Mane


Në dukje një promovim naiv i Divjakës por po të shikosh ndër rreshta bindesh gjithnjë e më shumë se zëvendëskryeministri Erion Braçe, që firmosi dje me urdhër të Ramës kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar për t’u betonizuar, po pozicionohet gjithnjë e më shumë kundër betonizimit.

Një luftë publike kjo e Braçes, që prej ditësh të shkuara kur denonconte fadromat që punonin poshtë dritares së tij duke krijuar zhurmë e tym.

Tirana, në shërbim të së cilës është Erion Veliaj mban vendin e parë për këtë katastrofë.

“Nëse do plazh të pastër e me hapësirë pa fund, ja ku e ke, zgjidhe vetë ku do të rrish dhe po deshe ngul çadrën tënde e rri rehat! Të gjitha, po të gjitha TË KUSHTOJNË SA 40% E PALASËS! E di, e di, çmenduri është, por njëherësh është edhe stil jete; ÇMO NATYRËN, MOS PAGUAJ BETONIN!”, shkruan Braçe, duke na bërë ftesë të gjithëve për të shkuar në Divjakë por mbi të gjitha duke shkruar me germa kapitale mesazhin e tij kryesor.

Me një mesazh duket se zëvendësi i Ramës ka goditur dy zogj, së pari betonizimin e përgjithshëm që i ka ndodhur Shqipërisë këto vite të qeverisjes socialiste, veçanërisht bregdetit dhe së dyti, çmimet skandaloze të Palasës, në të cilën po ndërton biznesmeni Samir Mane me leje të shefit të Braçes. Nuk dihet se sa do ia arrijë promovimit të “Divjakës së tij të dashur” që për hir të së vërtetës duhet thënë, ka mbetur e paprekur.