Vendosni fjalën kyçe....

Tensione në Kardiokirurgjinë e Tiranës – Vdekshmëria në shifra alarmante


Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT është drejt kolapsit të plotë. Burime konfidenciale tregojnë për Hashtag.al që vdekshmëria po arrin kufirin ku rrezikohet ekzistenca e këtij shërbimi.

Të dhënat janë se vdekshmëria ka arritur në afërsisht 9% në operacionet kirurgjikale të zemrës, ndërsa kontrasti është shumë i madh me vitet e kaluara kur ka qenë vetëm 0.7%.

Këto kohë janë operuar 358 pacientë.

Por çfarë ndodh në rastet kur rezultatet që kanë të bëjnë me jetë njerëzish janë të tilla?

Sipas normativave europiane kur vdekshmëria prek këtë shifër qendrat e këtij shërbimi mbyllen.

Ky informacion është tentuar të mbahet sekret, ndërsa mësohet se një mbledhje është mbajtur sot për këtë çështje.

Ajo është shoqëruar me tensione për shtimin alarmant të vdekjeve gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Një nga justifikimet e dhëna ka qenë se vdekshmëria e këtyre pacientëve lidhet me gjendjen e rëndë që kanë patur por duket se mbetet në nivelin e justifikimit të paargumentuar.

Në shërbimet shëndetësore kirurgjikale të Bashkimit Europian në një situatë të ngjashme do merreshin vendime urgjente që do kishin të bënin me ndërrimin e stafeve dhe drejtuesve.

Rezultatet tragjike në humbjet njerëzore në Shërbimin Kardiologjik në QSUT ngrenë shqetësimin se pse vihet re një dështim i tillë në këtë shërbim. Pse kjo rritje e madhe e fataliteteve? A kanë larguar drejtuesit e QSUT-së kirurgët e zotë duke mbajtur të paaftët?! Hashtag.al