Vendosni fjalën kyçe....

Pas protestave Kuba heq pagesat në dogana mbi ushqimin dhe ilaçet, kritikët: Jo, nuk duam thërrime


Kuba ka hequr përkohësisht detyrimet e importit për ushqimin, ilaçet dhe gjërat e tjera të domosdoshme pas trazirave të fundit.

Që nga e hëna e ardhshme, nuk do të ketë asnjë kufizim për mallrat e tilla të sjella nga udhëtarët deri në fund të vitit, shkruan BBC.

Kujtojmë se mijëra njerëz dolën në rrugë të dielën për të protestuar mbi mungesën e ushqimit dhe ilaçeve, rritjen e çmimeve dhe trajtimin e pandemisë së Covid-19 nga qeveria.
Një nga kërkesat që ata kishin ishte që njerëzit që mbërrinin në Kubë të sillnin furnizime pa paguar detyrime doganore.

Dhjetra protestues janë arrestuar në të gjithë vendin që nga fillimi i trazirave të dielën. Autoritetet konfirmuan të martën se një burrë kishte vdekur.

Demonstratat e paautorizuara janë të paligjshme në vend, dhe protestat anti-qeveritare janë të rralla.

Kryeministri Manuel Marrero Cruz njoftoi ndryshimin mbi pagesat doganore të mërkurën në një takim të transmetuar në televizionin shtetëror.

“Ishte një kërkesë e bërë nga shumë udhëtarë dhe ishte e nevojshme të merrej ky vendim.”- tha kryeministri. Qeveria “do t’i vlerësojë gjërat” pas 31 dhjetorit, shtoi ai.

Aktualisht udhëtarët në Kubë mund të sjellin deri në 10 kg ilaçe në vend pa taksa. Sidoqoftë, ata duhet të paguajnë detyrime doganore për sasinë e kufizuar të ushqimit dhe furnizimeve të higjienës personale që u lejohet të sjellin.

Është e paqartë efekti që do të ketë një ndryshim i tillë doganor. Pak njerëz po udhëtojnë në Kubë aktualisht mes pandemisë së koronavirusit.

“Jo, ne nuk duam thërrime. Ne duam liri.”- shkroi kritiku qeveritar dhe gazetari Yoani Sanchez në “Twitter” menjëherë pas njoftimit. “Gjaku nuk u derdh në rrugët Kubane për të importuar disa valixhe shtesë.”