Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Publik merr parasysh sugjerimin e ONM-së ankimon vendimin për Elisabeta Imerajn


Kreu i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj | Foto nga : LS

Komisioneri Publik ka marrë parasysh sugjerimin e ONM-së për prokuroren Elisabeta Imeraj duke ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili e la në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës.

Komisioneri Publik kërkon që Imeraj të mos jetë më në detyrë dhe të largohet nga sistemi i drejtësisë.

Njoftimi i plotë:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj me detyrë prokurore/ Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se vendimi është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe se subjekti i rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr.363, datë 1.4.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe rekomandimi i ONM-së me shtesën (Addendum) janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.