Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori i arrestuar në Vlorë: Kam banuar në shtëpinë e vëllait, s’kam shoqëri a lidhje me ato që akuzohem  


Prokurori i Vlorës Maksim Sota ka hedhur poshtë akuzën ndaj tij se ka banuar në një shtëpi në qytetin bregdetar, qiranë e së cilës e ka paguar një trafikant droge.

Ai ndodhet në arrest shtëpie ndërsa në deklaratën e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit ka pohuar se në Vlorë ka banuar në shtëpinë e të vëllait Ilir Sota.

Sipas dëshmisë së dy personave, Donial Drollui e Mariglen Shusha, të cilët kanë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Sota ka pasur lidhur me Ilirjan Duçellari Zaimi, i cili akuzohet si kreu i grupit kriminal.

Prokuoria e akuzon Sotën se ka ndikuar që grupi kriminal të vijonte i qetë trafikun e drogës që prej vitit 2014.

“E para ka një ndryshim të madh midis fjalëve “lidhje” dhe “njohje” midis dy apo disa personave. Në rast ekziston një lidhje, atëherë ka marrëdhënie reciproke në mënyra dhe forma të ndryshme midis këtyre personave, të cilat normalisht duhet të evidentoheshin në vendimin e gjykatës. Në rast se flasim për “njohje” midis dy apo disa personave, ka një ndryshim të rrënjësor me rastin e një lidhje midis tyre;  Lidhur me pretendimin e përdorimit/qëndrimit tim në një banese të paguar nga personat nën hetim deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se ky fakt është tërësisht i pavërtetë.” – tha Sota duke pohuar se në Vlorë ka banuar në shtëpinë e të vëllait.

Po kështu prokurori Sota ka thënë se nuk ka pasur lidhje apo shoqëri të Ilirian Duçellari Zaimi, por pohon se e ka takuar rrallë dhe në prani të personave të tjerë.