Vendosni fjalën kyçe....

Morën ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit që u plagos në Velipojë, arrestohen dy mjekët e Spitalit të Traumës


Policia ka vënë në pranga një mjek kirurg dhe një anestezist të spitalit të Traumës.

Dy mjekët akuzohen se kanë marrë ryshfet nga një qytetar për kryerjen e një operacioni. Fjala është për rastin e një prej të plagosurve nga masakra e ndodhur javën e kaluar në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.

Dy mjekët akuzohen se kanë marrë ryshfet për operacionin e të plagosurit 17-vjeçar, Elmilind Dyli.

Mjekët e arrestuar janë mjeku kirurg-ortoped Serdi Memini, 34 vjeç, dhe kolegu i tij Ervin Sulaj, 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.

Gjithashtu në pranga u vu edhe babai i të riut të plagosur, Fatbardh Dyli i cili u dha ryshfetin mjekëve.

DETAJET E POLICISË

Vihen në pranga një mjek kirurg dhe një mjek anestezist, si dhe një shtetas që iu ka dhënë këtyre dy mjekëve, një shumë parash për të kryer operacionin e djalit, 17-vjeçari që mbeti i plagosur gjatë masakrës me 4 të vrarë Velipojë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale paratë që kanë marrë mjekët për kryerjen e operacionit.

Strukturat Hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bisturia”.

Në kuadër të operacionit u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve: S. M., 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe E. S., 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.

-Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasit F. D, 40 vjeç, banues në Shkodër.

Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit Elmidin Dyli, i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit. Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.