Krahu i djathtë i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, raportohet të ketë zhvilluar një vizitë në Shqipëri.
Zëdhënësi presidencial i Turqisë nënvizoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Shqipëri për Turqinë dhe Ballkanin, në një deklaratë për mediet, ku ka pranuar se ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri dhe është takuar me kryeministrin Edi Rama. Por vizita është zhvilluar pa praninë e kamerave dhe ndryshe nga zakonisht, kryeministri Edi Rama nuk ka bërë asnjë postim lidhur me këtë takim.
Ibrahim Kalin u tha gazetarëve se “Paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë është paqja dhe stabiliteti ynë dhe gjithashtu paqja dhe stabiliteti i Ballkanit.”
“Pra, është në interesin tonë të përbashkët të forcojmë autoritetet shqiptare të sigurisë kundër terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikut të drogës ose krimeve të ngjashme.”- shtoi Kalin, citon Anadoly Agency.
Zëdhënësi i Erdoganit tha se biseduan me Ramën për përgatitjet e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për një vizitë në Shqipëri në muajt e ardhshëm.
Ai tha se Shqipëria ka rrënjë të thella historike dhe marrëdhënie me Turqinë, duke shtuar se të dy vendet po punojnë ngushtë në tregtinë për bashkëpunimin e sigurisë dhe çështjet rajonale.
Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për punën e rëndësishme që Ankaraja kreu me autoritetet shqiptare si pjesë e luftimit të Organizatës që Turqia e konsideron terroriste të Fetullah Gülen (FETO).
Ibrahim Kalin theksoi se bashkëpunimi do të vazhdonte në forcimin e infrastrukturës, shëndetësisë, tregtisë, investimeve, sigurisë, arsimit, kulturës, historisë dhe shtoi se institucionet turke kanë funksionuar në Shqipëri prej vitesh.