Vendosni fjalën kyçe....

Bamirësi apo Marketing? Capital T poston në rrjete sociale se do mbulojë shpenzimet e varrimit të djalit që u vra në Velipojë


Përplasja me armë në Velipojë me katër të vdekur, tronditi jo vetëm qytetarët e qytetit verior, por edhe të të gjithë vendit.

E historia që preku më shumë është ajo e 20-vjeçarit Myzerim Zeneli, djalit jetim që e gjeti veten mbrëmë në vendin dhe kohën e gabuar kur pronarët e tij po ziheshin për hapësirat për shezlongët.

Pas një sërë shkrimesh ndërgjegjësimi mbi ngjarjen e rëndë, reperi i njohur Capital T u shpreh i gatshëm për të mbuluar të gjitha shpenzimet e varrimit të kamarierit të ri, që mbeti i vrarë në ditën e tij të parë të punës.

“Unë jam gati t`i kryej të gjitha ritualet nëse ka nevojë vetëm të më shkruajë dikush nga familjarët në mesazhe.”- shkroi Capital T në “Instagram”.

Një gjest për t’u vlerësuar, por sa e nevojshme ishte që ky lajm të bëhej publik nga vetë reperi? Ishte ky një gjest i buruar nga zemra apo një formë marketingu? Jo për të sulmuar reperin në këtë rast, por ai fare mirë mund të ishte interesuar dhe të arrinte vetë tek familja e të riut për ta ndihmuar, pa qenë nevoja të bënte gjithë këtë publicitet dhe që të gjitha mediet të flitnin për gjestin e tij.

Ka edhe forma të tjera për të bërë një bamirësi, por nuk është e nevojshme të hapesh publikisht se ti po bën bamirësi, pasi fundja cili është qëllimi i bamirësisë në vetvete? A nuk është të bësh diçka për tjetrin, zhveshur nga çdo lloj interesi?

Ndoshta jo rastësisht filozofët dhe feja vë theksin tek anonimati i bamirësit, aq sa ka mbetur emblematike thënia e profetit Muhamed se nga të shpëtuarit në botën tjetër është edhe një person “që ka bërë bamirësi aq fshehtë, sa dora e tij e majtë nuk e ka ditur çfarë ka dhënë dora e tij e djathtë.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *