Vendosni fjalën kyçe....

Ra nga kati i tretë i banesës, humb jetën vëllai i Saimir Taullaut në Lushnjë


Saimir Taullau

Një 58-vjeçar ka humbur jetën në Lushnjë, pasi ka rënë nga kati i tretë i banesës ku jetonte.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:35, në lagjen “Loni Dhamo” dhe viktima është identifikuar si Albert Taullau.

“Sot rreth orës 10:35, në lagjen ‘Loni Dhamo’, Lushnjë, shtetasi A. T., 58 vjeç, dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i banesës ku banonte dhe ka ndërruar jetë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Viktima është vëllai i Saimir Taullaut, biznesmenit nga Lushnja të cilit i është bërë atentat në Tetor të vitit 2018. Asokohe dy persona të maskuar qëlluan me breshëri drejt lokalit, tek rrethrrotullimi i Plugut ku ndodhej dhe Taullau i cili fatmirësisht shpëtoi. Ai mori vetëm një plumb ku u dërgua për ndihmë mjekësore, por të nesërmen u arratis nga ambjentet e spitalit. Saimir Taullau njihet si person me precedent të mëparshëm penal.

Familja Taullau njihet për rivalitetin me bandën e Aldo Bares, pasi njëri vëlla Baki Taullau iu vra në atentat në 2005. Po ashtu Saimir Taullau u plagos në vitin 2018, duke i shpëtuar mrekullisht një atentati.

Saimir Taullau u arrestua vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut me qëllim ekstradimi në Zvicër, ku ishte dënuar me 4 vite burg për trafik droge.