Vendosni fjalën kyçe....

“Amerika s’duhet të përzihet në punët e brendshme të Kosovës”- Grenell i kundërpërgjigjet mbështetësit të Kurtit: Paguajmë ne për trupat amerikane në Kosovë


Ish-i Dërguari Special i presidentit të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas një postimi në “Twitter” të një shqiptari nga Kosova që jeton në Nju Jork.

Shqiptari Admir Molla, me të cilin thuhet se kryeministri Albin Kurti bisedon për raportet e vendit të tij me SHBA-në, thotë se SHBA-ja nuk duhet të ndërhyjë në punët e Brendshme të Kosovës.

Por Grenelll shkruan se mbështetësi kryesor i kryeministrit të Kosvoës në Amerikë, me këtë postim ka kritikuar dhe ofenduar SHBA-në. Në një kohë kur taksapaguesit e SHBA-ve paguajnë trupat amerikane që qëndrojnë në Kosovë.

“Mbështetësi kryesor i Kurtit në SHBA ofendon SHBA-në. Ia kujtoj Admir Mollës se taksapaguesit e SHBA’së paguajnë që trupat amerikane të qëndrojnë në Kosovë.”- shkruan Grenell.

Ky debat në “Twitter” erdhi pasi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, deklaroi se SHBA-ja beson që Kosova ka detyrim themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se historia s’ka filluar me krijimin e Qeverisë Kurti.

Një deklaratë që ka marrë kundërpërgjigje nga kryeministri Albin Kurti, i cili shprehet se Kosova nuk mundet të themelojë Asociacion njëetnik.

Admir Molla, i cili është pjesë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas këtyre deklaratave shkroi në “Twitter” duke këshilluar ambasadorin Kosnett që të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

“Amerikanët s’jetojnë në Kosovë. Shumica e tyre kurrë s’kanë dëgjuar për Kosovën. Ambasadori i SHBA-ve nuk duhet ta përfshijë veten e tij në punët e brendshme të Kosovës. Secili vend ka të drejtë për sovranitetin e vet pavarësisht madhësisë. Franca e ka çliruar Amerikën, por a është SHBA-ja gjithmonë borxhlije? Jo.”- shkruante Molla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *