Vendosni fjalën kyçe....

Policia: Grabitja në Durrës ishte e simuluar, menaxheri kishte humbur paratë në lloto


Policia thotë se ka zbardhur grabitjen e djeshme të ndodhur në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës.

Sipas uniformave blu, nuk ka pasur në fakt një grabitje, por ngjarja është simuluar nga menaxheri i karburantit.

Menaxheri Gerti Farruku, akuzohet se e kishte simuluar ngjarjen me qëllim për të justifikuar shumat e mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Në pranga ka rënë edhe pronari i lokalit ku luante lojëra fati menaxheri 23-vjeçar. Pronari i lokalit quhet Arsid Haxhiaj, dhe akuzohet që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku Farruku kishte humbur lekët.

Farruku akuzohet se në një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi dhe këto lekë i përdorte për lloto.

DETAJET E POLICISË

Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen me dhunë të kryer ditën e djeshme në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës.

Vihet në pranga menaxheri i firmës, i cili kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin  e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Gjithashtu vihet në pranga edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 06.06.2021, në një karburant, ku u vodh me dhunë një shumë e madhe parash,  organizuan punën për zbardhjen e  ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpjeta hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

Në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve  G. F., 23 vjeç dhe A. H., 22 vjeç.

Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit G. F., 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi G. F., për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.  Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit A. H., i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi G. F.

Menaxheri i firmës, shtetasi G. F. dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë  borxhet që ka patur në loto.

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit G. F., dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit A. H.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *