Vendosni fjalën kyçe....

Pas Shehajt, edhe Kadilli takon ambasadoren amerikane: Folëm për zhvillimet politike në PD e vend


Fatbardh Kadilli, një nga kandidatët për kreun e PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit është takuar sot me ambasadoren amerikane në Tiranë, Kim.

Kadilli shkruan se në takimin me zyrtaren amerikane ka diskutuar për zhvillimet politike në PD dhe në vend. Ai shton më tej se i ka paraqitur Kim, programin e tij për PD-në, të tituluar Manifesti Politik.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të gjatë dhe të frytshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Biseda u përqëndrua te zhvillimet politike në PD dhe në vend. Jam i lumtur që shpreha në takimin me të dërguarën e vendit më demokratik në botë, dhe aleatit strategjik të Shqipërisë, një zë të protestës kundër mënyrës si shkojnë gjërat në Shqipëri por edhe në partinë time, siç edhe shpalosa Manifestin Politik, jo vetëm për demokratët, por edhe shoqërinë. Me zonjën Kim ndamë mendimin se Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane.” – shkruan Kadilli.

Ky i fundit shkruan më tej se i ka shprehur ambasadores amerikane mirënjohjen për SHBA-në për gjithçka ka bërë për Shqipërinë dh botën.

“Gjithashtu në takim nënvizuam faktin e pamohueshëm se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira. Për gjërat e mira, për të ardhmen, por edhe ruajtjen e traditës dhe mësimeve të saj, ishte biseda sot. Si kandidat për kryetar i PD dhe si demokrat nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen Ambasdores Kim dhe vendit të saj te i cili shohim jo vetëm partneritetin dhe miqësinë, por edhe misionin e përbashkët për një botë më të mirë dhe të ardhme më të sigurt. Zoti e bekoftë Shqipërinë! God bless United State of America!” – shton Kadilli.

Më herët ambasadoren amerikane e ka takuar dhe kandidati tjetër në garë për kreun e PD-së, Agron Shehaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *