Vendosni fjalën kyçe....

Akuza për ekstremizëm, arrestohet një tjetër kryeredaktor në Bjellorusi


Arrestohet në Bjellorusi një tjetër kryeredaktor i një faqeje lajmesh në internet, nën dyshimin e ekstremizmit.

Bëhet fjalë për kryeredaktorin e Hrodna.life Aliaksei Shota. Arrestimi i tij u bë të dielën.

Kjo vjen në një kohë kur në këtë vend ka një valë goditjeje ndaj gazetarëve të pavarur dhe kundërshtarëve të Presidentit autoritar Alexander Lukashenko.

Portali i Shotës e ka bazën në qytetin e pestë më të madh të Bjellorusisë, Grodno. Policia e qytetit tha se faqja në internet “postonte produkte informacioni që njiheshin si ekstremistë”, por nuk dha detaje.

Siç shkruan VOA, nuk ishte menjëherë e qartë nëse Shota ishte akuzuar zyrtarisht për ekstremizëm që mund ta çojë atë në 10 vjet prapa hekurave.

Shota kishte bashkëpunuar me portalin më të njohur të vendit Tut.by, të cilin autoritetet e mbyllën këtë muaj pasi arrestuan 15 punonjës.

Kujtojmë se vetëm një javë më parë pati zhumë diskutime mbi arrestimin e gazetarit disident Raman Pratasevich dhe të dashurës së tij, që ishin në bordin e një avioni që u devijua në aeroportin e Minsk me arsyetimin se kishte një kërcënim për bombë. Avioni po fluturonte mbi Bjellorusinë gjatë rrugës nga Athina për në Vilnius.

Ky veprim zemëroi shtetet perëndimore, që si masë ndëshkuese ndaluan fluturimet nga Bjellorusia.

Pratasevich është akuzuar për organizimin e trazirave, një akuzë që mbart një dënim të mundshëm prej 15 vjetësh.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *