Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu një hap larg rrëzimit nga pushteti, opozita njofton arritjen e marrëveshjes për qeverinë e re


Një koalicion i partive opozitare të Izraelit ka njoftuar se ata kanë arritur një marrëveshje të vështirë dhe tani kanë votat për të hequr nga detyra kryeministrin Benjamin Netanyahu, udhëheqësi më jetëgjatë i vendit.

Naftali Bennett, ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë Netanyahu dhe lideri i opozitës Yair Lapid do të drejtojnë partitë e opozitës sipas kësaj marrëveshjeje të re që do të ndajë pushtetin në një ‘qeveri uniteti’. Bennett do jetë fillimisht kryeministër i vendit, e më pas kryeministër do bëhet Lapid, nëse ata janë të suksesshëm në largimin e Netanyahut nga pushteti.

“Ne mund të shkojmë në zgjedhjet e pesta, zgjedhjet e gjashta, derisa të na bjerë çatia mbi kokë ose mund të ndalojmë çmendurinë dhe të marrim përgjegjësi.” – njoftoi Bennett të dielën, duke shtuar se kjo ‘qeveri uniteti’ është e nevojshme për të shpëtuar Izraelin.

Ky koalicion do të ketë një javë për të përfunduar marrëveshjet dhe më pas do të përballet me një votim në parlamentin e vendit, Knesset. Lapid do të informojë presidentin Reuven Rivlin për aftësinë e tij për të formuar një qeveri të re me partnerët e tij të hënën, sipas raporteve.