Vendosni fjalën kyçe....

Pse po ngjall debate prezantimi i Shqipërisë në Bienalen e Venecias


Shumë debate ka ditët e fundit në rrjet, mbi përfaqësimin e Shqipërisë këtë vit në Bienalen e Venecias e cila ka hapur dyert që prej datës 22 Maj.

Kjo sepse Shqipëria përfaqësohet këtë me një pavion që evokon temën e fqinjësisë së mirë, mirëpo e bën këtë përmes filmave të Kinostudios “Shqipëria e re” të kohës së komunizmit.

Katër arkitektektet që përfaqësojnë Shqipërinë, Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra dhe Rudina Breçani kanë ngritur një apartament në muret e të cilit projektohen imazhe nga rreth 12 filma të kohës së diktaturës ku vendin më kryesor e zë “Në shtëpinë tonë” me regji të Dhimitër Anagnostit.

Kuratori i përgjithshem i Bienales, Hashim Sarkis, ka vendosur temën për të gjithë pjesëmarrësit “Si do të jetojmë së bashku?”, frymëzuar nga ajo çfarë udhëhoqi gjithë botën në një vit pandemie

Kësaj iu përgjigjen arkitektë nga e gjithë bota me një mori projektesh për të ardhmen, ndërsa Shqipëria e përktheu në një formë tjetër duke u fokusuar tek e shkuara duke u fokusuar në konceptin “Njih fqinjin tënd”, dhe ka marrë hua titullin e filmit “Në shtëpinë tonë”, të regjisorit, emblematik të produksionit kinematografik në diktaturë, Dhimitër Anagnostit, që i përket vitit 1979.

“Pjesëmarrja në këtë Bienale pa dyshim që është një mesazh shprese sidomos prej pandemisë çka tregon edhe luftën tonë për të ardhur me një temë që vazhdon aktuale ‘Si do të jetojmë së bashku’. Kjo ishte një temë për të cilën ne nuk patëm sforco dhe bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare. Ne nuk kemi pasur një shtëpi sepse shtëpia jonë ishte bashkëjetesa dhe fqinjësia. Ky pavijon vendos në filozofinë dhe themelin e tij rikthimin e fqinjësisë sidomos gjatë pandemisë që na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër.”– thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ndërsa një nga arkitektet që përfaqëson Shqipërinë në këtë Bienale, Irola Andoni thotë: “Vitet 1990-2000 ishin koha kur shoqëria shënoi një përthyerje dhe njerëzit nisën të mos njihnin më fqinjët. Këtë kohë që përkon me fëmijërinë tonë jemi munduar ta sjellim në këtë Biennale, për të shpjeguar marrëdhëniet mes fqinjëve dhe sa shumë ato kanë ndryshuar”.

Këto produksione kanë qenë instrument dhe propagandë e kulluar, për të mbajtur sistemin diktatorial në këmbë. Dhe ka qenë pikërisht kjo ajo që ka sjellë debate në rrjet.

Por si është pritur kjo?

Studiuesi Kastriot Dervishi: Ai ka publikuar në Facebook një skenë kult nga filmi “Në shtëpinë tonë”, ku një polic me uniformë i thotë një nëne: “Në vendin tonë nuk rrëmbehen fëmijët si në Itali”.

Pra në vendin tonë në kohën e Komunizmit ne ia kishin kaluar Italisë për mirëqenien e sigurinë, shprehet Dervishi. Por sim und të jetë pritur kjo nga italianët?

“Filmi ‘Në shtëpinë tonë’, që përfaqësoi Shqipërinë në bienalen e Venecias, me siguri i ka mrekulluar italianët me këtë shprehjen e ‘rrëmbimit të fëmijëve’ atje. Se ne ia kishim kaluar Italisë për mirëqenie dhe siguri. Te ne fëmijët përfundonin në kampe internimi.”-shkruan Dervishi.

Jonila Godole: Drejtorja e Institutit për Demokraci, Media & Kulturë, gjithashtu përmend faktin që fëmijët në atë kohë dërgoheshin në Internim, ndërsa ishin prindërit e tyre që rrëmbeheshin kur shteti donte.

“Nuk kishin pse ‘rrëmbeheshin’ fëmijet, atyre u rrëmbente shteti prindët kur të donte dhe fëmijet i damkoste si ‘pjellë armike’ që përfundonin më pas në internim, të përbuzur, pa shkollë dhe pa perspektivë.”– shkruan Godole.

Ajo i ka dedikuar edhe një shkrim pak më të gjatë kësaj çështjeje ku shprehet se është “absurde të përdorësh një nga diktaturat më të egra në Lindje, një nga shoqëritë më të izoluara ndër vendet komuniste, si model bashkëjetese paqësore dhe ta krahasosh atë aq lehtësisht me kontekstin e ditëve të sotme.” Sipas saj, ajo që Shqipëria ka prezantuar këtë vit, është “Një imazh i shtrembëruar i diktaturës shqiptare në bienalen e Venecias”.

Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci, gjithashtu ka patur diçka për të thënë. “Shqiptarët në diktaturë kanë jetuar të lumtur… ky është mesazhi i videos së pavionit shqiptar të prezantuar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia… madje po ta shihni me kujdes, do ndjeni gjithë keqardhjen e autorëve, për humbjen e tërë asaj mrekullie njerëzore.”

Çfarë kanë sjellë vendet e tjera?

Kili: Arkitekti kilian Alejandro Aravena, i cili ka qenë kuratori Bienales në 2016, ka krijuar një hapësirë ku shpreson se kilianët dhe populli indigjen Mapuche mund të takohen e të diskutojnë mbi konfliktet e tyre shumëvjeçare mbi territorin.

Arkitektura, e sjellë në jetë nga studio e tij “Elemental” përmbush kriteret e traditës së popullit Mapuche: që të jetë në formë rrethore me orientim nga lindja, të jetë e ndërtuar me dru në formën vertikale.

Danimarka: Me titull “Con-nect-ed-ness”, Pavijoni Danez i këtij viti po paraqet një pjesë të vetme, të plotë të punës me ujë si element thelbësor. Me qëllim që të kujdesen për të gjitha shqisat, tubat drejtohen në të gjithë ndërtesën në depozitat e mbledhjes së ujit jashtë, me tekstile nga dyshemeja në tavan duke shtuar prekshmëri për këto struktura.

Vizitorët mund të marrin pjesë duke pirë një filxhan çaj të përgatitur me gjethe nga pemët e limonit të mbjellë në pavijon dhe të rritur duke përdorur të njëjtin ujë të mbledhur jashtë.

Britania: Ky vend ka vendosur të eksplorojë sesi do të bashkëjetojmë me privatizimin në rritje të hapësirave publike.

Projekti titulluar “Kopshti i Mrekullive të Privatizuara” e ka transformuar pavijonin në një seri hapësirash publike të rrezikuara që mund të rimendohen dhe ringjallen.

Një tjetër projekt britanik tregon sesi komunitetet myslimane kanë qenë të afta të përdorin hapësirat për të ndërtuar xhami.

Tri Xhamitë Britanikë” shfaqin tri xhami të cilat janë ngritur në ambientet ku më parë ka qenë një kishë, një sinagogë dhe një pab.

“Ajo që mund të shihni në këto godina është mënyra sesi komunitetet i japin formë hapësirës dhe krijojnë gjuhën e tyre vizuale, estetike dhe arkitekturore.”- shpjegon Shahed Saleem, bashkëkuratori i projektit “Tri Xhamitë Britanike”.

Kliko këtu për të parë çfarë kanë sjellë vende të tjera.

Jeta Përtej Tokës

Ndërsa disa janë fokusuar në Tokë, të tjerë kanë hedhur sytë nga qielli. Projekti i “Skidmore, Oëings & Merrill” Agjencisë Europiane të Hapësirës  “Jeta Përtej Tokës” shfaq një fshat që ndodhet në hënë dhe që tejkalon kufizimet e klimës ekstreme duke përdorur teknologjinë që iu ndodhet ose në zhvillim e sipër.

Ky projekt synon të tregojë se bashkëpunimi botëror midis kombeve dhe partnerë për të ndarë me njëri-tjetrin ekspertizën e tyre kundrejt objektivave të përbashkëta është në të vërtetë i arritshëm. Ata parashikojnë se Fshati i Hënës mund të krijohet në një hark kohor prej vetëm pesë vitesh.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *