Vendosni fjalën kyçe....

Flutura Açka: Kur do të flasim për “genocidin” e ujit? Qytetarët paskan paguar për të zezë të vet


Deputetja e zgjedhur e PD-së për Parlamentin e Ardhshëm, Flutura Açka ka reaguar pas lajmeve se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar se cilësia e ujit që furnizohej kryeqyteti në vitet 2016-2017 (kohë kur u ngrit padia) ishte jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.

Zonja Açka ngre pyetjen se “kur do të flasim?” për atë që e quan “genocidin e ujit”.

Sipas Açkës nëse kjo do të ndodhte një vend tjetër, banorët do të kishin dalë të protestonin natë e ditë deri në dorëheqjen e kryebashkiakut, ekspertët do të kërkonin kthimin e parave tek qytetarët për rritjen e çmimit të ujit në këto vite, prokuroria do kishte nisur investigimin për të gjetur fajtorët dhe media do t’i kushtonte të paktën disa emisione.

REAGIMI I AÇKËS:

Kur do të flasim për “genocidin” e ujit?

Në një vend normal, kur Gjykata Administrative e shpall ujin që pijnë qytetarët e Tiranës të papijshëm dhe të dëmshëm për shëndetin e banorëve:

Këta banorët, pra ca nga këta banorët, do të protestonin ditë e natë para Bashkisë, derisa shtetari brenda saj që i ka mashtruar me vite nëpër intervistat e tij, të jepte dorëheqjen.

Një tjetër grup që çoç marrin vesh nga ekonomia, do të kërkonin të kthehej rritja madhe e çmimit të ujit, sepse qytetarët paskan paguar për të zezë të vet.

Një prokurori patriote, e cila do që shqiptarët të mos vriten nga “genocid i i ujit”, do të kishte nisur menjëherë investigimin dhe duhet t’ia thotë qytetarëve se kush janë fajtorët e ujit të papijshëm të Tiranës.

Një Opozitë, e cila me qytetarët ka marrëveshjen politike ta luftojë të keqen e këtij vendi, edhe mes halleve që ka këto ditë, duhet t’u thotë dy fjalë për ujin që po u mbin kërpudha në trup.

Një qeveri dinjitoze si e jona, do të kishte dalë e t’i bënte ca batuta e t’i bullizonte qytetarët e të mos e merrnin për kaq të madhe se ka edhe të pëgëra uji që pijnë ata, se fundja i forcon ndaj ndonjë vale tjetër virusi dhe t’ia dinë asaj për nder.

Një media më e përgjegjshme, nuk do të jepte vetëm lajmin, por do t’i kushtonte ca emisione, do të thërriste ca specialistë e t’ua shpjegonin qytetarëve. Ndonjë nga ato talk shoë të mbrëmjes le t’i linin pushim një natë ngrehalucët politikë, e zahmet t’i kushtojnë një mbrëmje ujit. Sigurisht, mbase e kanë vështirë nga “besa” që kanë me kryemgrehalucin e bashkisë, por bëhet fjalë edhe për ta dhe fëmijët e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *