Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari i PD: Kemi prova të shumta se PS kreu shkelje që deformuan votën, do kërkojmë pavlefshmëri të rezultatit


Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD ka thënë sot se selia blu po e pasuron dosjen e zgjedhjeve të 25 prillit me prova të shumta, të cilat sipas tij do vërtetojnë pretendimet se PS ka kryer shkelje që kanë ndryshuar vullnetin e qytetarëve që votuan.

Kaso theksoi se përdorimi i teknologjisë në zgjedhje do i ndihmojë demokratët të identifikojnë me lehtë shkeljet e kryera dhe deformimin e votës.

“Shkeljet e ligjit kanë filluar shumë kohë përpara datës së zgjedhjeve, ka vijuar ditën e zgjedhjeve dhe veçanërisht në atë që është faza më delikate, ajo paszgjedhore, ajo e numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit. Dosja pasurohet dita-ditës me prova të reja të ardhura jo vetëm nga armata jonë zgjedhore, por edhe nga denoncimet që janë bërë publike në media edhe nga subjekte të tjera.” – tha ai në një deklaratë për News24.

Kaso theksoi se në varësi të shkeljeve të bëra, PD do kërkojë ndryshim të mandateve apo pavlefshmëri të atyre zonave ku do të vërtetohen manipulimet.

“Çdo votë është e filmuar dhe teknologjia do na vijë në ndihmë në këtë proces. Gjithçka që ka të bëjë me problematikat në numërim ose nxjerrjen e votës së pavlefshme. Do kërkohet masa që parashikon ligji duke futur edhe ndryshimin e rezultatit apo pavlfeshmëri në zonat përkatëse. Të gjitha gjetjet tona do ndahen me publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.” – tha Kaso.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *