Vendosni fjalën kyçe....

Shitja e votës dhe votimi i bazuar mbi interesat personale kundrejt premtimeve janë njësoj


Nga Irena Beqiraj

Populli u shit ose ndryshe votat u blenë. Ka ndodhur një krim elektoral që dënohet me ligj. Në mbeshtjetje të kësaj teze, video, fakte dhe argumete do të gëlojnë pas kësaj në media edhe rrjete sociale. Nuk do të mungojë edhe argumenti i pakundërshtueshëm, se si rezultat i shitjes masive të votës, një djalë i ri i panjohur në listën e PS-së, ka marrë 10.000 vota më shumë në Tiranë se kryetari i degës së partisë në Tiranë. Apo se, si rezultat i shitjes masive së votës, PSD-ja mori 3 mandate, pa program, ku paradoksalisht e vetmja fushatë publike që iu bë kësaj partie ishte fushata negative e bërë nga Ambasada Amerikane, kundër kryetarit të saj.

Me ligj padyshim dënohet shitblerja e votës. Por ne duhet ta pranojmë që shitblerja e saj është tërësisht e pranuar dhe e promovuar publikisht si pjesë e kodit moral të votuesit në Shqipëri. 

Në një demokraci teorikisht presupozohet se vota është një deklaratë që ka në qendër mbi të gjitha interesin e përbashkët ose zgjedhjen e alternativës që çon përpara vendin. Ndaj edhe lideri i PS-së, në spotet publicitare na tregonte majat e larta që do të ngjiste Shqipëria nën udhëheqjen e tij, sikurse dhe lideri i PD-së këmbëngulte se me të fiton vetëm Shqipëria. Porse realiteti është krejt ndryshe! Vota në fakt është një preferencë, ose një deklaratë e lidhur tërësisht me interesat e ngushta afatshkurtra individuale, të cilat rrallë mund të bashkërendojnë me interesat e vendit në tërësi. Aq më tepër, kur kemi të bëjmë me një elektorat të varfër, të keqarsimuar, të painformuar, të manipuluar, të paaftë për të bërë lidhjen midis shkaqeve dhe pasojave, vota është pazgjidhshmërisht e lidhur me interesin e ngushtë personal. Kjo sjellje e elektoratit përveçse me stadin e zhvillimit shoqëror lidhet pazgjidhshmërisht edhe me nxitjen masive që i bëhet nga programet elektorale, votës së bazuar tërësisht në interesat individuale.

Një votues mesatar e ka shumë më të lehtë të identifikojë përfitimin personal ekonomik tek i cili bëhet i disponueshëm në një kohë të shkurtër. Ndërsa evidentimi i interesit personal i cili kalon nëpërmjet zhvillimit të interesave të vendit në tërësi, kërkon më shumë analizë, më shumë informacion të paanshëm dhe shoqërohet me disavantazhin që lipset kohë më e gjatë që të bëhet realitiet. Në këto kushte përcaktimi i preferencës së votës bazuar në përfitimet ekonomike tërësisht individuale, ka rezultuar inxhinieria elektorale më e sukseshme për të siguruar pushtetin.

Kjo është arsyeja pse premtimet kyçe dhe të përsërituara të fushatave elektorale janë rritja e transfertave rishpërndarëse (pensione, ndihma sociale), uljet ose përjashtimet nga taksat, ose rritje e rrogave, elementë këta thellësisht të lidhur me interesin e ngushtë ekonomik individual, pak ose aspak të lidhura me zhvillimin ekonomik të vendit. Narrativa dhe argumentet politike të ofruara gjatë fushatave dhe specifikisht edhe gjatë kësaj fushate, kanë nënkuptuar se votimi i nxitur nga interesat personale jo vetëm është i lejueshëm, por i nevojshëm. Në këtë kontekst, nëse në programet politike zyrtare konsiderohet e pranueshme, e ndershme dhe e lirë që një mësues të përcaktojë preferencën e tij dhe të votojë në bazë të premtimit të rritjes së pagës, apo një drejtor banke të përcaktojë preferencën e votës së tij në bazë të premtimit të uljes së tatimit mbi të ardhurat nga 23% në 9%, apo një nënpunës të përcaktojë preferencën e tij në bazë të vazhdimësisë ose jo të punësimit; përse konsiderohet e papranueshme që një i papunë, pensionist, apo një i pamundur, të përcaktojë preferencën e tij dhe të votojë në bazë të një përfitimi ekonomik, i cili merr forma të ndryshme që nga thesi me miell e deri tek pagesa e shpenzimeve të mjekimit?

Nëse shitja e votës me një thes miell është gabuar, është po aq e gabuar edhe nxitja e e votimit në bazë të përfitimeve ekonomike personale, të cilat nuk munguan në këtë fushatë. Nëse është e moralshme dhe pranueshme që një nënpunës civil të hedhë votën për këdo kandidat që i siguron vazhdimësinë e punësimit të tij, është po aq e moralshme që një i papunë të drejtojë votën e tij drejt kandidatit që i ofron një pako me ushqime duke i siguruar familjes ushqim qoftë edhe për 5 ditë.

Morali i pranuar dhe promovuar gjerësisht, që vota është një deklaratë që lidhet me interesat personale të gjithëkujt, i ka konvertuar zgjedhjet në një ankand të shkëmbimit në avancë të interesave dhe përfitimeve individuale të votuesve dhe kandidatëve.

Të vetmit elementë që ndyshojnë në praktikën e pranuar ligjërisht dhe atë të jashtëligjshme është “çmimi” me të cilin e shesim votën dhe fakti që përfitimi që presim është përfituar para apo pas dhënies së saj. Por asnjë nga këta dy elementë nuk ndryshon natyrën e transaksionit ekonomik që ndodh me votën.

Një frymë e re, një moral i ri i lipset vendit, e cili nuk mundet kurrsesi të imponohet me ligje, sado të çirremi edhe të  qurravitemi për shkeljen e tij.  Morali triumfon mbi ligjin dhe ligji nuk e ndryshon dot moralin. Kjo është pak, por e sigurtë! Madje kur kodi ynë moral e pranon dhe promovon lidhjen e votës ekskluzivisht me interesin personal çdo ligj që hartohet në kundështim me të do “të dënojë” me humbje respektuesin e tij, duke rritur kështu shpejtësinë marramendëse me të cilën “një i fortë” kthehet në një ligjvenës i cili përcakton fatet e vendit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta Si


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *