Vendosni fjalën kyçe....

Policia reagon për incidentin në Sheshin Skënderbej: I dyshuari ishte nën efektin e drogës


Policia ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me incidentin e pazakontë që ndodhi mesditën e sotme në Sheshin Skënderbej.

Në njoftimin e  policisë, thuhet se i dyshuari 32-vjeçar Arben Mema, i cili është vënë në pranga, besohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin kur u fut me makinë në Sheshin Skënderbej duke terrorizuar qytetarët.

Personi u ndalua nga vetë qytetarët që ndodheshin në vendngjarje, në veçanti nga një djalë 22-vjeçar që iu hodh nga xhami i makinës, duke e goditur me të dyja këmbët në fytyrë, një ngjarje që e kemi parë vetëm në filma por në këtë ditë zgjedhjesh ka ndodhur mes kryeqytetit.

NJOFTIMI I POLICISË

Në sallën operative ka ardhur njoftim se në sheshin “Skënderbej”, një drejtues mjeti ishte duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe qytetarë të rastit kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e drejtuesit të mjetit, shtetasit A. M., 32 vjeç, i cili është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme hetimore.

Nga verifikimet paraprake të Policisë nuk ka persona të lënduar dhe dyshohet se drejtuesi i mjetit është nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, këtij shtetasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis.

Ky drejtues mjeti fillimisht ka përplasur tri automjete në vende të ndryshme duke shkaktuar dëme materiale dhe më pas ka thyer barrierat mbrojtëse dhe ka hyrë në sheshin “Skënderbej” duke rrezikuar seriozisht qytetarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *