Vendosni fjalën kyçe....

Banka Botërore: PPP-të rritën detyrimet kontigjente të paqarta, po rikrijohen borxhe të prapambetura


Banka Botërore ashtu si Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri theksin së fundmi tek detyrimet kontigjente të paqarta të krijuara nga Partneritetet Publike Private në rrugë nga ana e qeverisë.

Këto detyrime cilësohen të paqarta pasi në një situatë shoku nuk mund të vlerësohen qartësisht se cilat do të jenë efektet që do të sjellin në ekonomi dhe në financat publike. Përgjithësisht Banka Botërore ka cilësuar se situata fiskale në vend mbetet e brishtë pavarësisht projekteve dhe përpjekjeve që janë bërë gjatë këtyre viteve për të përmirësuar disa aspekte.

“Në përgjithësi, megjithatë, situata fiskale mbetet e brishtë. Megjithëse u arrit konsolidimi fiskal me rreth 4 pikë përqindjeje e Produktit të Brendshëm Bruto gjatë 2014–17, borxhet e prapambetura kanë filluar të grumbullohen përsëri (më ngadalë sesa më parë). Partneritet publike-private në rrugë, të rregulluara në mënyrë joadekuate jashtë buxhetit janë shumëfishuar, duke shkaktuar rritje të detyrimeve kontingjente të paqarta. Mangësitë në menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal rrjedhin kryesisht nga një mjedis i vështirë i ekonomisë politike. Sidoqoftë, përparim i mirë po bëhet drejt përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike për të bërë proceset më transparente dhe më miqësore ndaj qytetarëve. Në ekuilibër, arritja e objektivave në fushën e menaxhimit fiskal dhe ofrimin e shërbimeve publike vlerësohet si mesatarisht i kënaqshëm”, thuhet në dokumentin e BB.

I njëjti nënvizon se në menaxhimin fiskal dhe ofrimin e shërbimet publike, objektivat specifike të forcimit të menaxhimit të financave publike, konsolidimit fiskal, dhe reformimit të proceseve të ofrimit të shumë shërbime publike për të përmirësuar aksesin dhe komoditetin – ishin mjaft të rëndësishme.

“Programi i Bankës Botërore ishte një miks i duhur i huasë dhe asistencës teknike, përforcuar nga puna analitike. Mbështetja ndihmoi për të bërë përparime në fushat kryesore. Në menaxhimin e financave publike, forcoi disa aspekte të menaxhimit të shpenzimeve, përfshirë procesin e buxhetimit afatmesëm dhe sistemit të informacionit për menaxhimin financiar.

Progres është bërë edhe drejt konsolidimi fiskal, veçanërisht përmes mbështetjes së Bankës Botërore për shlyerjen e një borxhi të prapambetur, një strategjie parandaluese si dhe për reformën e pensioneve” thuhet në raport.

Ky i fundit është një vlerësim programi i Bankës Botërore në Shqipëri përgjatë viteve 2011-2019 publikuar vetëm pak ditë më parë. Ai analizon ndikimet që kanë dhënë projekte të caktuara në fusha të ndryshme të ekonomisë të zbatuara me financim të BB në vendin tonë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *