Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i kontrollorëve nuk kursen ironinë pas vendimit të gjykatës: Ditë e mrekullueshme, dënuam puçistët e Rinasit


Avokati i kontrollorëve të Albcontrol Rezart Kthupi ka dalë sot në një deklaratë për mediet pas vendimit të gjykatës për të lënë në “arrest me burg” dy prej kontrollorëve dhe në “arrest shtëpie” kontrolloren e tretë grua të arrestuar pas situatës së krijuar në Rinas.

Kthupi nuk kurseu ironinë, duke thënë se janë dënuar “pengmarrësit e Rinasit”.

“Për ne sot është një ditë shumë e gëzuar. Arritëm të provojmë se sistemi i drejtësisë shqiptare është eficent, i drejtë dhe i papolitizuar. Sot dënuam me masë sigurie arrest me burg puçistët dhe pengmarrësit e aeroportit të Rinasit, është një ditë e mrekullueshme.

Nuk është vepër penale, është konflikt juridiko-civil. Akuzohen tre persona që janë larguar nga puna se kanë shpërdoruar detyrën.

Ndërkohë në rast se do kishte bllokim apo shpërdorim të detyrës do ishte e gjithë trupa e kontrollorëve në bllok e jo vetëm tre. Tre kontrollorë nuk mund të pengpojnë punën në Rinas.

Shpirtërisht nuk jam në gjendje t’ju kthej përgjigje. Jam moralisht i dërrmuar.

Njëri prej kontrollorëve sapo ka kaluar Covid-in dhe nuk është në gjendje të përballet me këtë situatë. Sa i përket akuzës, do të ishte koment ligjor, unë gjykoj që është një akuzë që nuk mund të ngrihet ndaj një punonjësi të një shoqërie anonime.”– deklaroi avokati.

Një ditë më parë Prokuroria e Tiranës dërgoi në Gjykatë kërkesën për masën ndaj tre kontrollorëve, ku ndaj Flora Ndrecës kërkonte masën “arrest shtëpie”, ndërsa për dy të tjerët Armando Fezga dhe Muhin Mezimi kërkonte “arrest me burg”. Kërkesë që sot u pranua nga gjykata.

Ndaj tre kontrollorëve, është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim. Kjo për shkak të situatës së krijuar në Rinas, ku për dy ditë u bllokuan fluturimet për shkak të pezullimit të punës nga kontrollorët që kishin shpallur paaftësinë në punë, duke thënë se ishin të stresuar pas stresut që i kishte shkaktuar ulja e rrogës në kohën e pandemisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *