Vendosni fjalën kyçe....

Braktisin PS-në për t’ju bashkuar PD-së, Basha pret në zyrën e tij dy zyrtarët socialistë


Kryedemokrati Lulzim Basha ka pritur sot në zyrën e tij dy funksionarë të majtë nga Durrësi, që janë larguar nga PS-ja për t’u bashkuar me PD-në.

Bëhet fjalë për Serian Mazrekun dhe Ardit Kërtushën, dy aktivistë dhe figura të rëndësishme të socialistëve në qytetin bregdetar.

Mazreku, administrator i njësisë administrative Kënetë, u ka bërë thirrje të gjithë të afërmve të tij të mbështesin PD-në dhe të mos pranojnë lëmosha, duke nënkuptuar shitjen e votës.

Nga ana e tij, ish-kryetari i FRESSH për qytetin e Durrësit dhe së fundmi Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Jetësimit të Prioriteteve në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kërtusha është shprehur se Durrësi ka mbetur peng i interesave të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Kërtusha përmendi arrogancën e Bashkisë Durrës, mungesën e shërbimeve për qytetarët dhe mbetjen e saj pa drejtues real.

Basha i cili i mirëpriti në PD, u shpreh se ai dëshironte të shihte një garë idesh dhe programesh ndërmjet partive, gjë që nuk po ndodh sepse pushteti nuk ka paraqitur alternativë. Basha u tregua entuziast për faktin që ka socialistë që duan ndryshim dhe e gjejnë ndryshimin tek Partia Demokratike. Madje u bëri ftesë dhe socialistëve të tjerë.

Kërtusha vuri në pah dallimin që ai shihte ndërmjet Bashës dhe Ramës kur theksoi se “këtu gjej një lider larg ironisë, notave groteske dhe shpërfilljes”.

Ai dënoi gjuhën e urrejtjes dhe bëri thirrje që “të heqim një drejtues i cili nuk mund të drejtojë më as shtëpinë e tij, Partinë Socialiste, jo më vendin, Shqipërinë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *